Ministri Cani inspekton investimet në Burrel

11/04/2015 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ndaloi këtë të shtunë në qytetin e Burrelit, ku dhe inspektoi disa investime të financuara nga qeveria shqiptare.

Fillimisht ministri Cani, i shoqeruar edhe nga kryetarja e Bashkisë së Burrelit Adelina Farrici, inspektoi punimet në rrugën që të çon për tek varrezat e qytetit, e cila po i nënshtrohet një rikontruksioni total, që përfshin asfaltimin, ndriçimin dhe dërgimin e ujit tek varrezat.

Një tjetër investim i financuar nga qeveria shqiptare dhe i inspektuar nga ministri është edhe blloku i banimit në anën jugore të lagjes “Partizani”, ku ka nisur implementimi i projektit që përfshin asfaltimin e rrugëve, gjelbërimin, ndriçimin, etj.

Ndalesa e radhës e Canit ishte në uzinën e ferrokromit, për të cilën po shqyrtohet mundësia e zgjerimit.

Në fund të vizitës së tij, ministri i Financave u ndal edhe në investimin italo-shqiptar, ngritjen e një kompleksi social në lagjen “Pjetër Budi”, ku aktualisht është ndërtuar qendra shëndetësore që do të pasohet me banesa sociale për shtresat në nevojë dhe ato të margjinalizuara, kopshte dhe shkolle.

Cani u shpreh se, e rëndësishme është që çdo financim i bërë ka shkuar aty ku duhet dhe se kjo mbështetje që i është dhënë Bashkisë së Burrelit ka qenë mëse e merituar.

Duke qenë se Adelina Farrici do të jetë sërish në garë për të drejtuar bashkinë, Cani tha se është detyra e saj të ndryshojë mentalitetin e krijuar në mënyrën e të punuarit për komunitetin.

Top Channel