Presidenti Nishani uron besimtarët ortodoksë

12/04/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë ditën e Ringjalljes së Krishtit.

Kjo ditë, thotë Presidenti, që përmban në vetvete ripërtëritjen e besimit te ringjallja e shenjtë e birit të vërtetë të Zotit, na rikujton gjithashtu se shpresa në një të ardhme edhe më të mirë nuk vdes kurrë në shpirtin tonë.

Shoqëria jonë, thotë kreu i Shtetit, do të bëhet edhe më e përsosur vetëm në sajë të zbatimit të parimeve thelbësore fetare apo etike, mbi të cilat funksionon dhe ecën përpara mbarë njerëzimi.

“Drejtësia për të gjithë pa dallim, barazia mes nesh, që nga më i pari e deri te më i fundit, ndihmesa pa interes për më të pafatët dhe më të dobëtit përbëjnë thelbin e gjallesës sonë, në këtë botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida të vështira”, – vijon më tej mesazhi i kreut të Shtetit.

“Nën këtë qiell të kaltër e të pastër shqiptar, e mbi këtë dhé të trojeve të lashta arbërore, çdo hall, problem, mosmarrëveshje apo pengesë mund të zgjidhet e të kapërcehet, nëse bashkojmë forcat dhe aftësitë, duke menduar e punuar vetëm për të mirën e kombit tonë të bekuar”, – përfundon Presidenti Bujar Nishani, duke uruar Pashkët për më shumë mirësi, paqe, dashuri dhe lumturi.

Top Channel