Pashkët ortodokse, kremtime në mbarë vendin

12/04/2015 00:00

Mesnata e Pashkës ortodokse është festuar në Korçë nga qindra besimtarë, të cilët janë mbledhur në sheshin para Katedrales për të pritur ringjalljen e Krishtit.

Ashtu si çdo vit, nga mitropoliti i Korçës Imzot Johani është mbajtur mesha, ndërsa ai ka uruar për të gjithë më tepër mbarësi dhe lumturi. Kur ora shënoi 00:00, të gjithë besimtarët kanë ndezur qirinjtë e tyre, që simbolizojnë dritën e shenjtë, e që më pas në mënyrë simbolike çohet në shtëpi e ndezur.

Në Kishën ortodokse të Vlorës “Shën Todri”, shumë besimtarë ortodoksë kanë ndjekur meshën e mbajtur nga At Kostandin Prifti. “Zoti ju bekoftë” ishte shprehja, me të cilën At Kostandin Prifti iu drejtua besimtarëve ortodoksë në momentin e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes, i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e pashueshme e Perëndisë.

Flaka që u ndez në atë moment simbolizon ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi.

Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e Krishtërimit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati. Besimtarët nisën ceremonitë e Pashkëve që të premten, e quajtur ndryshe dhe si “e premtja e zezë”, duke vijuar me mesnatën e sotme dhe me drekën e së dielës.

Edhe në Lushnje, besimtarët ortodoksë, si në të gjithë Shqipërinë festojnë Pashkët, ditën më të rëndësishme të kalendarit festiv të krishterë. Në mesnatë, në kishat e qytetit të Lushnjes u organizua mesha e Ringjalljes, ku krerët ortodoksë apeluan për më shumë paqe dhe dashuri mes njerëzve.

Në Lushnje, në meshën e mbajtur në kishën e “Shën Kollit” të Krutjes ishin të pranishëm drejtuesit e pushteti lokal, kryetari i Bashkisë Fatos Tushe, së bashku me deputetin e kësaj zone, Arben Çuko.

Zona e Krutjes është një nga zonat me numrin më të madh të besimit ortodoks. Në përfundim të meshës, të dy dhanë mesazhin për të gjthë besimtarët ortodoksë të qytetit dhe mbarë vendit.

Top Channel