Papa Françesku e quan genocid agresionin turk ndaj armenëve

12/04/2015 00:00

Papa Françesku ka përdorur termin “genocid” për të përshkruar vrasjet masive të armenëve nën Perandorinë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore të 100 viteve më parë, gjatë një shërbese të mbajtur në kishën e Vatikanit.

Armenia dhe shumë historianë pretendojnë se rreth 1,5 milionë njerëz janë vrarë sistematikisht nga forcat osmane në vitin 1915. Por, deklarata e Papës ka irrituar Turqinë, e cila ka mohuar vazhdimisht që ato vrasje të konsiderohen genocid.

Presidenti armen, Serzh Sargsyan ishte pjesëmarrës në shërbesën e Atit të Shenjtë, në nderim të një kleriku armen të shekullit të X, Shën Gregorin e Narekut. Grindja për këtë çështje që daton një shekull më parë vazhdon të mbajë të përkeqësuara marrëdhëniet mes Armenisë dhe Turqisë.

Papa e ka përdorur edhe më parë termin “genocid” për këto vrasje, dy vite më parë, duke shkaktuar protesta masive nga ana e Turqisë.

Në meshën e së dielës sipas ritit katolik armen, të mbajtur në bazilikën Peter, Ati i Shenjtë tha se njerëzimi ka jetuar përgjatë “tre tragjedive masive dhe të paprecedenta” gjatë shekullit të fundit.

“E para, e cila konsiderohet gjerësisht si genocidi i shekullit të XX-të, goditi popullin armen”, tha ai, në formën e një deklarate të bërë më parë edhe nga Papa Gjon Pali i II (dytë) në vitin 2001.

Papa Françesku iu referua gjithashtu edhe krimeve të “kryera nga nazizmi dhe stalinizmi” dhe tha se të tjerë genocide kanë ndodhur edhe në Kamboxha, Ruanda, Burundi dhe Bosnje. Ai shtoi se ishte detyra e tij të nderonte kujtimet e të vrarëve.

Top Channel