Arrestimi i deputetëve, ndihmë nga BE. Gati projektrezoluta

12/04/2015 00:00

Zhvillimet e fundit në vend, që pas arrestimit të deputetit Mark Frroku e në vijim, megjithëse kanë tërhequr vëmendjen e përfaqësuesve të Parlamentit Europian që merren me Shqipërinë, nuk priten të përfshihen në projektrezolutën, që pritet të miratohet në fillim të javës së ardhshme nga Komiteti i Jashtëm europarlamentar.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE: Po i ndjek këto zhvillime. I lexoj agjencitë e lajmeve, por unë nuk mund të vlerësoj nga këtu dhe për këtë më duhet të flas me disa partnerë në Shqipëri, sesi e shohin ata atje. Së bashku me kolegun e PPE-së, Kukan kemi vendosur të diskutojmë këtë situatë me Komisionerin Hahn dhe deri atëherë nuk jam në gjendje për të thënë se kush ka, ose jo, të drejtë. Unë mund t’iu them vetëm se, ajo çfarë po shohim për momentin nuk është një tablo e këndshme dhe shpresoj me të vërtetë se, pas hetimeve të qarta, sa më të shpejta sigurisht por dhe intensive, ne do të kemi një tablo më të qartë.

TCH: A do t’i përfshini dhe këto zhvillime me ndryshimet në raportin tuaj?

Knut Fleckenstein: Jo, nuk do të përmenden, sepse është tepër vonë për këtë raport. E për të qenë i sinqertë, për të shkruar mbi këto duhet të kesh vërtet fakte për t’i provuar.

Nga burime konfidenciale mësohet se takimi me Komisionerin Hahn pritet të mbahet më 22 Prill. Midis të tjerash, eurodeputetët parashikohen të bisedojnë me të mbi mundësitë e Komisionit për të ofruar asistencë juridike, në rast nevoje, për hetimin e deputetëve të akuzuar; qëndrimet e fundit të Tiranës zyrtare mbi BE-në dhe rajonin; si dhe për ecurinë e vendit në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Ndërkohë që, të tjera burime rrëfejnë për Top Channel se Fleckenstein, menjëherë pas votimit të projektrezolutës nga Komiteti i Jashtëm europarlamentar, pritet të shpenzojë disa orë në Vlorë, më 16 Prill, ku mendohet të bisedojë “rrëmbimthi” edhe me kryeministrin Rama.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel