Elbasan, paqe për Pashkë mes kandidatëve për kryebashkiak

12/04/2015 00:00

Me qindra besimtarë ortodoksë kremtuan gjatë natës së mbrëmshme dhe mëngjesin e sotëm ringjalljen e birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Pas mesnate, kishat ortodokse në qytetin e Elbasanit u tejmbushën nga besimtarët, të cilët kanë përcjellë mes tyre mesazhe të paqes dhe dashurisë.

Ndërkohë, dy kandidatët për Bashkinë e Elbasanit, kreu aktual Qazim Sejdini i Partisë Socialiste dhe Ardian Turku, përpara se të nisin betejën elektorale për zgjedhjet e 21 Qershorit kanë shtrënguar duart përzemërsisht, duke i uruar njëri-tjetrit Pashkët.

“Më lejon që t’iu uroj nga zemra të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarëve gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët. Qoftë një vit i mbarë dhe vit i begatë, i shëndetit dhe i gëzimit e lumturisë”, u shpreh kryebashkiaku aktual, Qazim Sejdini.

“Ju uroj të gjithë besimtarëve ortodoksë gëzuar këtë ditë të bukur, këtë ditë kur njerëzit iu adresohen vuajtjeve të Krishtit, për të kujtuar që në këtë botë jemi të barabartë dhe duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin”, deklaroi kandidati për Bashkinë e Elbasanit nga PD, Ardian Turku.

Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij dhe është festa më e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi e përkohshmja në të përjetshmen.

Top Channel