Castro: Për mendimin tim, Obama i ndershëm. Komentet pas shtrëngimit të duarve

12/04/2015 00:00

“Për mendimin tim, Presidenti Obama është njeri i ndershëm”. Me këtë fjali e përshkroi Raul Castro homologun e tij, pas takimit historik mes tyre në një sallë të vogël konferencash.

Shtrëngimi i duarve midis Presidentit Obama dhe Castros është komentuar gjerësisht nga analistët e politikës ndërkombëtare. I cilësuar si takimi që ktheu faqen e historisë, liderët i dhanë fund ngrirjes së marrëdhënieve përgjatë 50 viteve të fundit.

Në komentet e medieve ndërkombëtare ishte fjala “kujdes”, pasi procesi i afrimit do të marrë kohë. Por, sipas “Financial Times”, fjalimet respektive të udhëheqësve tregonin se ata ishin të vendosur për të bërë histori dhe për ta çuar përpara atë.

Sikurse vetë Presidenti Barack Obama, i cili u shpreh se “Shtetet e Bashkuara nuk do të burgosen nga e kaluara”.

Por Obama u përball menjëherë me kritikat e disa ligjvënësve amerikanë, të cilët e konsiderojnë këtë si një hap të gabuar. Senatori Bob Menendez e cilësoi rekomandimin për të hequr Kubën nga lista e financuesve të terrorizmit si të rrezikshëm.

Nga ana tjetër, këshilltari i Sigurisë i Shtëpisë së Bardhë nuk ishte i së njëjtës linjë mendimi dhe, sipas tij, gjithçka që i përket izolimit të popullit kubanez nuk ka çuar askund, ndaj theksoi se hapi i ndërmarrë nga Presidenti Obama i hap dyert lirisë, demokracisë edhe në mesin e popullit kubanez, pasi e vërteta është se atje respektimi i të drejtave të njeriut mbetet një sfidë më vete.

Për këtë çështje, vetë kreu i Uashingtonit, më herët u shpreh se “nuk ka asgjë të keqe, pasi çdo vend është ndryshe nga aleatët e tij, por – sipas tij – rëndësi ka që çdo qeveri duhet të luftojë për të njëjtat vlera universale”.

Top Channel