Vettel e Raikkonen të kënaqur. Gjermani: Jemi pranë tyre

12/04/2015 00:00

Piloti gjerman i Ferrarit është shprehur i kënaqur me podiumin në këtë garë të tretë të këtij sezoni, gjatë të cilit nuk ka zbritur asnjëherë prej tij. “Në tërësi ishte një garë e mirë. Kemi qenë shumë pranë Mercedesit me gomat e buta, u përpoqëm të ushtronim presion ndaj tyre, por me gomat e forta ata ishin shumë më të shpejtë”.

Kështu është shprehur Sebastian Vettel pas Çmimit të Madh të Kinës, i mbyllur nga gjermani i Ferrarit pas shpinës së dy Mercedesëve të Hamilton dhe Rosberg. “Në fund të fundit jemi përpjekur të ruajmë podiumin, që është një rezultat shumë i mirë për ne. Falënderoj ekipin – shton ish-piloti i Red Bull, me të cilin fitoi 4 tituj kampionë, – dhe jemi të gjithë të kënaqur, edhe pse shpresojmë që të afrohemi më shumë me rivalët”.

Ndërkohë edhe Kimi Raikkonen është shfaqur i lumtur për garën dhe për vendin e katërt, pas Vettelit. “Munda të nisesha mirë dhe në kthesën e parë vendosa të merrja krahun e brendshëm, edhe pse nga ai i jashtmi mund të përfitoja më shumë shpejtësi, – shpjegon finlandezi. – Por ia dola mbanë të kaloja dy makinat Williams, kështu që gjithçka shkoi mirë. Të synojmë podiumin në Bahrein? Të shohim, sot iu afrova shumë, por më pas erdhi problemi i makinës së sigurisë. Ndoshta mund ta kisha tentuar edhe sot. Më duhet të bëj një fundjavë më të mirë dhe të mos gabojmë në kualifikuese”.

Top Channel