Tiranë, arrestohet 41-vjeçari, iu gjet kokainë dhe një pistoletë

12/04/2015 00:00

Një 41-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës gjatë ditës së diel, pasi iu gjet një sasi kokaine në automjet dhe një pistoletë në banesë.

Bëhet e ditur se Specialistët e Sektorit për Narkotikët në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.1 dhe 2, rreth orës 06:00, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin Agim Hoxha, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Sipas njoftimit të policisë, 41-vjeçarit i është gjetur 104.85 gram lëndë narkotike e llojit Kokainë në automjetin e tij tip “Volkswagen”, me targë AA 260 FJ, si dhe gjatë kontrollit në banesë, iu gjet 1 pistolete TT, 1 krehër me dy fishekë, 2 kompjuter, 4 tableta portabel, 18 telefona celularë, 2 mjete dhe një shumë e konsiderueshme parash e eurosh, të cilat janë burim i aktivitetit kriminal. 

Ndërkohë policia po punon për identifikimin e kapjen e bashkautorëve.

Top Channel