Kosovë, AAK: Pjesëmarrja e ulët në arsim, shqetësuese

12/04/2015 00:00

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se në Kosovë ka pjesëmarrje të ulët në arsim, sidomos në atë të detyruar dhe ky fakt paraqet shqetësim të madh.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një konferencë për mediat, tha se “ajo që na shqetëson shumë është moszbatimi i ligjit për pjesëmarrje në arsim”. Problem tjetër, sipas tij, është edhe politizimi i arsimit në të gjithë nivelet.

Ndërsa kryesuesi i Departamentit për Arsim në AAK, Jonuz Salihaj tha se programi qeverisës nuk ka gjë tjetër veç synimeve, që siç tha ai, nuk kanë as afat kohor për realizmin e tyre.

Departamenti për Arsim i këtij subjekti, vlerëson se testi i arritshmërisë dhe ai i maturës kanë konfirmuar se cilësia e arsimit në Kosovë aktualisht është shumë e ulët.

Shqetësuese mbetet përqindja e pjesëmarrësve në arsimin parashkollor, që sipas Salihajt, është më e ulëta në Europë, vetëm 3 për qind.

Programi qeverisës në fushën e arsimit, sipas AAK-së, është program teorik që po përsëritet me atë të vitit 2008.

Për gjendjen aktuale në fushën e arsimit, Jonuz Salihaj kritikoi ministrin e Arsimit Arsim Bajrami dhe qeverinë e Kosovës, pasi sipas tij, nuk është bërë asgjë për unifikimin e sistemit arsimor.

Departamenti për Arsim i AAK-së ka vlerësuar se “duhet të ndryshohen shumë ligje në fushën e arsimit në Kosovë”.

Top Channel