Zgjedhjet lokale, PD zyrtarizon 3 kandidatë të tjerë

13/04/2015 00:00

Partia Demokratike ka zyrtarizuar këtë të hënë tre kandidatë të tjerë për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit. I pari që është njoftuar nga selia blu ka qenë Darien Xhindoli, i cili do të garojë për Bashkinë e Lushnjes.

Ndërsa dy të tjerët, sipas një njoftimi për shtyp të selisë blu, janë: Bajazit Karriqi për Bashkinë e Përrenjasit dhe Xhevdet Belishti për Bashkinë e Maliqit.

Partia më e madhe opozitare në vend ka disa ditë që ka nisur publikimin e kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale. Të dielën u njoftua se Dhurim Alinani do të kandidojë nën siglën e PD-së në Delvinë dhe Gëzim Çaushi në Roskovec.

Në Peqin është zyrtarizuar kandidatura e Albert Kreçit, ndërsa në Divjakë ajo e Irakli Goresë. Në Pukë, Partia Demokratike do të përfshijë në garë Rrok Dodën. Burreli do të ketë kandidat, sipas selisë blu, Nezir Rizvanin, ndërsa në Klos do të jetë Basir Çupa.

Ky proces publikimi i emrave të kandidatëve pritet të vazhdojë deri në përfundimin e tyre dhe nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore.

Top Channel