Tiranë, digjet magazina e tapeteve, asfiksohen 3 persona

13/04/2015 00:00

Një magazinë tapetesh dhe sixhadesh u përfshi nga flakët mëngjesin e së hënës, në kilometrin 5 të autostradës Tiranë-Durrës.

Zjarri, i ndihmuar edhe nga materialet që ndodheshin në këtë magazinë u përhap me shpejtësi. Sipas zjarrfikëseve, ka disa vatra të mëdha për të cilat punohet për t’i vënë nën kontroll.

Përveç tapeteve, në magazinë ka patur edhe lëndë djegëse. Të gjitha forcat zjarrfikëse të Tiranës, të ndihmuara edhe nga rrethet e afërta me kryeqytetin, u përfshinë në një operacion disa orësh për të shuar flakët.

Rreth orës 11:00 të paradites, pak më shume se dy orë pas rënies së këtij zjarri, flakët u minimizuan, për t’u shuar përfundimisht rreth orës 13:00.

Më herët, forcat policore krijuan kordonin e sigurisë dhe larguan nga zona përreth zjarrit të gjithë banorët dhe punëtorët.

Ata evakuuan jo vetëm punëtorët e firmës të përfshirë në këtë ngjarje, por edhe ata ngjitur me këtë magazinë. Gjatë këtij operacioni, autoambulancat kanë shoqëruar drejt spitalit tre persona të asfiksuar, të cilët po marrin ndihmën mjekësore dhe nuk kanë probleme për shëndetin.

Objekti rrezikon të shembet si pasojë e një dëmtimi serioz që ka marrë struktura e kësaj ndërtese. Grupi hetimor do të presë ftohjen e ambienteve të brendshme të magazinës për të hyrë dhe për të bërë kqyrje në vendin e ngjarjes.

Ende nuk ka një shkak se cila mund të ketë sjellë djegjen e plotë të magazinës. Pronari i kësaj magazine, një shtetas sirian nuk dha detaje në lidhje me ngjarjen.

Top Channel