Hungari, partia e ekstremit të djathtë fiton vend në Parlament

13/04/2015 00:00

Partia e ekstremit të djathtë, Jobbik, në Hungari ka fituar të parin vend individual në Parlament.

Për të siguruar vendin e Tapolca-s iu desh një shumicë prej më pak se 30 votash. Jobbik-u duket se është në rrugën e duhur të shndërrimit në një sfidë jo të vogël për partinë në pushtet, Fidesz, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018.

Partia radikale nacionaliste e ka zbutur ndjeshëm retorikën e saj këto vitet e fundit dhe ka fituar mjaft mbështetje prej votuesve qëndrore.

“Ndjesia e përgjithshme në Hungari është ajo e ndërrimit të pushtetit dhe Jobbik, më në fund, e ka forcën ta ndryshojë qeverinë”, thotë Gabor Vona, lider i Jobbik.

Edhe pse marzhi i fitores ishte i ulët, në vetvete ajo bart një simbolikë të jashtëzakonshme, mendojnë ekspertët. Triumfi përforcon reputacionin e saj si forca politike nacionaliste më e suksesshme në Europë, ndërsa për Kryeministrin hungarez, Viktor Orban, shënon një tjetër hap prapa.

Vetë Orbani, i cili është tepër i apasionuar pas futbollit, zgjodhi një mënyrë mjaft origjinale për të pranuar humbjen. Ka dhe raste kur topi godet e nuk përfundon në rrjetë, por godet shtyllën, do të shkruante kreu i ekzekutivit hungarez, në profilin e tij në Facebook. Fidesz-i i fitoi me shumë lehtësi zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato europiane në 2014-n, kur Jobbik mori rreth 20% te votave.

Por që atëherë, partia në pushtet e ka parë në rënie reputacionin e vet, pasojë e drejtpërdrejtë kjo e akuzave për korrupsion dhe kundërshtimit të taksës së planifikuar të internetit apo kufizimit të tregtisë përgjatë të dielave.

Top Channel