Përplasje me armë në veri të Mitrovicës, dy të plagosur

13/04/2015 00:00

Dy të rinj serbë janë plagosur me armë zjarri, gjatë një përleshjeje të ndodhur mbrëmjen e së dielës, pas mesnate në lokalin ‘Crna Dama’, në veri të Mitrovicës, raporton “Kosovapress”, sipas së cilës, në vendngjarje janë gjetur gëzhoja dhe plumba të pashkrepur.

Zëvendëskomandanti i Policisë në veri të Mitrovicës, Besim Hoti, tha se plagosja e dy të rinjve ka ardhur pas një rrahje mes dy grupeve të rinjsh serbë nga Mitrovica e veriut dhe Zveçani. Ai tha se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa motivet e ngjarjes ende nuk dihen.
 
Hoti ka konfirmuar se kur policia ka reaguar për t’i dërguar të plagosurit në spital, persona të panjohur kanë sulmuar një automjet të policisë që ndodhej në oborrin e këtij spitali, duke dëmtuar kështu xhamin dhe njërën gomë të automjetit.
 
Ai tha se emrat e të dyshuarve të përfshirë në këtë incident janë të njohur për policinë, ndërsa po zhvillohen hetime për kapjen e tyre dhe zbardhjen e rastit.

Top Channel