PD përsërit akuzat: Bushi, i arrestuar për trafik droge; reagon PS

13/04/2015 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka përsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për promovim të personave me precedentë kriminalë.

Në një deklaratë për mediat, Paloka i është referuar një edicionit të datës 12 qershor 2010 të një gazete italiane, e cila sipas tij tregon përfshirjen e kandidatit të PS për Krujën, Artur Bushi, në trafikun e drogës.

“Ja çfarë shkruan një gazetë në 12 qershor të vitit 2010, rreth ndalimit të një bande që trafikonte drogë nga Holanda në Itali. “Arrestato Artur Bushi, detto Turi”, shkruan media italiane. “Una vera e propria banda”, thotë “Varese News”. Media prej disa kohësh ka publikuar të dhëna për këtë ngjarje të arrestimit për drogë të deputetit të Edi Ramës, Artur Bushi”, ka thënë Paloka.

Sipas tij, me kandidimin e Bushit, Edi Rama ka vendosur zyrtarisht të dalë kundër dekriminalizimit.

“Jo vetëm e përzgjodhi dhe i hapi dyert e Parlamentit, por tani kryeministri po e thellon inkriminimin duke bërë një pakt tjetër me trafikantin, duke u përpjekur për t’i dhënë më shumë pushtet, duke sfiduar hapur qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Rama po i del hapur botës jo vetëm si personi që hapi dyert e vërshimit të krimit në administratë, institucione e Parlament, por edhe si kryeministri që mbron deri në fund skemën e tij kriminale.

Nuk do t’ia dalë dot kundër të gjithëve, kundër qytetarëve të vendit, kundër partnerëve ndërkombëtarë, kundër opozitës, kundër nevojës së kohës. Ora e drejtësisë po vjen. Tani dekriminalizimin do të bëjnë qytetarët e Krujës, duke refuzuar trafikantin, e duke zgjedhur ofertën e re.

Dekriminalizimin do ta bëjnë mbarë shqiptarët me 21 qershor, duke refuzuar skemën kriminale, etërit e saj, Edi Rama dhe Ilir Meta”, ka shtuar Paloka.

Reagon PS: Bushi, i padënuar në Itali

Partia Socialiste nuk qëndroi në heshtje ndaj këtyre akuzave. Ajo nuk përmendi momentin e ndalimit nga policia italiane të Artur Bushit, siç akuzon opozita,  por publikoi një dokument të Ministrisë italiane të Drejtësisë, ku rezulton se deputeti Bushi rezulton i padënuar në Itali.

“Gjejnë kurajo për të folur ata që kanë kandiduar për një nga bashkitë kryesore të Shqipërisë një individ të sapodënuar me vendim gjykate. Sa i përket rastit të deputetit Bushi, pavarësisht shpifjes së radhës nga SHQUP-i, institucionet italiane e kanë pajisur shtetasin shqiptar me çertifikatë pafajësie, e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë italiane, që shkruan të zezë mbi të bardhë se Artur Bushi është i padënuar në Itali”, deklaroi deputeti Ulsi Manja.

Top Channel