Tiranës i duhet një menaxher

13/04/2015 00:00

Nga Agim Berisha – Më pëlqen kur flas për Tiranën dhe fjalët më dalin pa kontroll, por dhe acarohem kur shoh gjëra të shëmtuara që tolerohen ndaj saj… Tirana edhe në këto zgjedhje do të jetë epiqendra e tyre dhe “maja” që kërkojnë ta rimarrin anët e politikës.

Këtu ndërthuren nga interesa të mëdha e deri te të voglat, banalet, por që një qytet i tillë, i pranon, ashtu siç pranon nga Versaçe deri te gabi… Interesat për ta “kap” Tiranën janë të shumta, politike, komerciale, e pse jo ekzistenciale, por edhe si trampolinë për fitore të zgjedhjeve politike.

Edhe qytetarët e saj të ndarë në kategori të ndryshme, kanë interesat e tyre, nga ato politike, mjedisore e deri tek ato të ruajtjes së vendit të punës. E shpesh kush premton më shumë të “pamundurën” deri në çmenduri, çuditërisht, fiton… Mendimi elitar qytetar, megjithëse jo me shumë zë, kërkon në drejtimin e saj një menaxher të aftë “jashtë” politikës, edhe pse për disa kohë, kjo duket e pamundur.

Është e pamundur, jo vetëm se varësia nga politika është dominuese, por edhe ngaqë mungon alternativa nga shoqëria civile, madje niveli i disave që tentojnë nisma në emër të saj, është qesharak. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që në krahët e politikës nuk mund të ketë politikanë të aftë për të bërë menaxherin… Tirana, zemërgjerë e mikpritëse për të gjithë ata që zgjedhin për të jetuar me të, vuan nga anomalitë, rrëmuja dhe pasaktësitë në ndërtim.

Ajo vuan korrupsionin e zyrtarëve multikolor, si dhe diktati që shpesh mundohen t’ia afrojnë. Tirana simbol i dijes, kulturës e jetesës së mirë, por edhe “zonjë” e bukur dhe e lakmuar nga të gjithë për të qenë banor i përhershëm i saj, e jo vetëm, por edhe një metropol tashmë europian, me të mirat e të metat e veta, kërkon në vitet që vijnë një drejtim ndryshe, jo pronë e njëshit.

Tirana shijohet, prandaj, nuk i duhet humbur kjo vlerë, nga drejtime e drejtues amatorë. Ajo kërkon drejtim të tipit referendar, me bord këshillimor profesionistësh, jashtë shijeve personale e politikës. Është folur shumë sesi do jetë Tirana e ardhshme, me bulevard të madh, me tram, me taksa e pa taksa të llojeve të ndryshme etj., etj.

Mirë, por nuk janë gjithçka, Tirana me avantazhin e pozicionit gjeografik kërkon shumë më shumë, e që ta zbulosh, duhet të dëgjosh shpirtin e saj, ta respektosh si qytet kopsht, të vlerësosh aleancën ndërtesë-natyrë si dhe atë mes modernes e traditës, sepse po nuk e “dëgjove”, mund të banosh në të, por nuk mund të bëhesh kurrë qytetar i saj. Tirana ofron shumë mundësi dhe aftësia e qytetarit të parë të saj, është t’i njohë, e t’i promovojë ato dhe të mos “mbytet” në një pikë ujë…

Programet, në radhë të parë duhet të lidhen me qytetarët, me jetën e tyre, duke mos harruar fëmijët, për ambiente sportive e kulturore, të moshuarit me ambiente çlodhëse, “shkollarët” me ambiente e literaturë të bollshme, të pasionuarit pas ballove e muzikës klasike, por dhe qytetarët me alternativa të mëdha punësimi e jetese… E duam Tiranën qendër të kulturës, e të mendimit politik mbarëkombëtar, por dhe rajonal.

E duam Tiranën, qendër të turizmit me historitë e saj përcaktuese dhe resurse të favorshme natyrore, me mundësitë reale turistike gjithëvjetore, që i jep prania e malit dhe afërsia me detin, por edhe me komplekset arkitekturore, që janë historia e trashëgimia e saj, të lakmueshme e konkurrente edhe me disa qendra të rëndësishme në Europë, si kompleksi “Nënë Tereza” me bulevardin e kompleksin e ministrive që përbëjnë një ansambël model, por dhe me objekte të tjera me vlera të rëndësishme arkitekturore e historike, që kanë filluar të abandonohen, ngaqë të gjithë rendin pas ndërtimeve të reja.

Do të ishte mirë, që për zona karakteristike dhe objekte pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore, qofshin edhe familjare, bashkitë të kenë fonde të posaçme për restaurim e mirëmbajtje… Tirana post 2015, kërkon trafik të monitoruar, me drejtim e komandim elektronik, jo më me policë që zëvendësojnë semaforët, por që monitorojnë rendin e lëvizjen e qetë të qytetarëve në rrugë, pa shembuj negativë të kohëve të fundit… E duam Tiranën pa informalitet, me mendim të përparuar arkitektonik e të harmonizuar me trashëgiminë jo të pakët, e pa zona “geto”.

E duam Tiranën pa ndotje dhe më shumë mjedisore, më shumë ambientaliste, me metra katrorë gjelbërimi që i takojnë secilit banor të saj… Flasin shumë për Tiranën sesi duhet të jetë, po të njëjtët njerëz gjithmonë, por jo ata që duhet. Flasin më shumë ata që janë full-time në opinione dhe autodidakt në arkitekturë e inxhinieri, madje me këto “njohuri”, shpesh janë edhe “krijues” edhe kritikë.

Mendimi teknik për Tiranën duhet të jetë si shërbim ndaj qytetarëve e qytetit, e jo si objekt muzeor… Tirana ka ndërtuar shumë më shumë se kërkesat, duke i privuar atë cilësi të njohur të saj, frymëmarrjen, që përkthehej në liri e lëvizje normale të qytetarëve, në siguri e qetësi në jetën e tyre. Çdo metropol ka zhurmën e tij karakteristike, që është zhurmë nonstop e jetës së tij, të qytetarëve të metropolit, jo zhurmë guroreje apo frantoje që prodhon e bluan gurë. Tirana sot ka një numër të madh makinash, madje më shumë se numri familjeve dhe përdorimi i tyre, është bërë jo vetëm për shkak të mungesës së alternativave me mënyra të tjera lëvizje, por edhe për trend.

Madje këtij numri të madh i shtohen edhe makinat e qyteteve të afërta me të, që lëvizin “për qejf” nëpër Tiranë, madje vijnë që në mëngjes dhe parkojnë në vendet elitare të Tiranës pa problem. Tashmë ka dhe një shprehje, shqiptari vetëm pa makinë e celular nuk jeton dot. Shyqyr që niveli i krizës te ne, për të cilën flitet shumë, nuk matet me lëvizjen e makinave, me numrin e celularëve apo kohën e bisedave të harxhuara, megjithëse kemi çmimet më të larta në rajon për naftë e tarifa telefonike…

Çdo qytet metropol, vëmendjen kryesore e ka te kursimi i kohës së qytetarëve të tij dhe ruajtjen e jetës së tyre nga ndotjet, që vijnë nga djegia e gazrave në natyrë, sidomos nga lëvizja e makinave. Madje duhet të jenë element vlerësues edhe tregues të tillë si ndikimi në jetëgjatësi dhe vdekshmëria… Elementi parësor i zgjidhjes për këto, nuk mund të jetë bllokimi i mjeteve, por alternativa për pakësimin e trafikut, përmes lëvizjes me sa më pak pengesa. Tashmë edhe trafiku ka krijuar historinë e vet, madje edhe sipas orareve të caktuara, prandaj kjo “eksperiencë” duhet vlerësuar.

Duhet të shfrytëzohen mundësitë ekzistuese të infrastrukturës rrugore që ka Tirana, për lëvizje të detyruar në një drejtim që është një rezervë jo e vogël. Nuk duhet toleruar mosrespektimi i lejeve të ndërtimit për ambientet nëntokësore për parkingje, duke i transformuar në funksione të tjera, madje ketë të drejtë as ALUIZNI, të mos e gëzojë. Duhet të vendosen kritere e norma strikte për parkingjet nëntokësore, në ndërtimet shumëkatëshe, në raport me numrin e banorëve të tij, ashtu si për normat për metër katror gjelbërim.

Në rrugët me trafik të rënduar gjatë orareve të pikut nuk duhen lejuar parkime në rrugë, si ato të Rrugës së Kavajës, të Rrugës së Dibrës, në Unaza të mëdha e të vogla. Madje përpara se të jepen me koncesion parkingjet në këto rrugë, të jepen me koncesion ndërtimet e parkingjeve vertikale e nëntokësore. Ne trashëgojmë mundësi të kufizuara zgjerimi të rrugëve dhe çdo automjet me përmasa të mëdha, si autobusët “fizarmonikë” dhe kamionët me tonazh të madh, shtojnë pengesat në qarkullim.

Prandaj duhen respektuar kërkesat e rrugëve të “vjetra” të Tiranës, duke nxjerrë nga trafiku autobusët fizarmonikë, kurse kamionët e tonazhit të madh, të punojnë në orët e natës, deri në përfundimin e Unazës së Madhe. Gjatë këtyre 20 vjetëve, për infrastrukturën në Tiranë, është investuar, por edhe harxhuar shumë. Them harxhuar sepse shumë nga rrugët e Tiranës kërkojnë ndërhyrje emergjente, sepse në bulevardin “Zogu i Parë” janë hequr pllakat, për shkak të cedimit të bazamentit, në Rrugën e Dibrës, Porcelanit, në Unazë etj., është hequr asfalti, por ka edhe shumë trotuare pa pllaka.

Tirana ka kërkon administratë me tre turne… Jemi i vetmi kryeqytet në Europë pa metro, për shumë arsye, që nuk dua të merrem me to, por së paku në kryqëzime të rëndësishme, duhet të ketë nënkalime, që do pakësonin djegien e gazrave nga lëvizja pa pengesa.

Është bërë diçka e mirë me lëvizjen e tregjeve të shumicës nga qendra drejt periferisë, por nuk duhen zëvendësuar me tregjet në trotuare… Tiranës i duhet ai që e bën të bukur jetën e banorëve të saj, por e bën të lakmueshme edhe për qytetarët e huaj, një menaxher dhe supervizor i qytetit dhe jetës së qytetarëve të saj.

Kryetari, që para lejeve të ndërtimit mendon për qytetarët e qytetin e vet, shpresoj të gjendet…, i duhet Tiranës. Natyrisht jo të gjitha rregullohen në një mandat, por e rëndësishme është trendi të jetë drejt një Tirane ku jetohet më mirë, sepse edhe Parisi qyteti më i preferuar në botë, ka një të metë, shtrenjtësinë e gjërave për t’u blerë…

Top Channel