PD: Ramën me Brukselin e lidhin vetëm skandalet

13/04/2015 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Luçiano Boçi, deklaroi të hënën se kryeministri Edi Rama është brenda një afere korrupsioni me një arkitekt të qeverisë belge.

“Pas zbulimit te skandalit korruptiv të Edi Ramës nga autoritetet belge me projektin e tij Atelier Albania, kryeministri ynë ka zgjedhur heshtjen. Asnjë shpjegim prej tij, edhe pse nisja e hetimeve për Peter Swinen, arkitekt i qeverisë flamane, i ka çuar dyshimet drejt e tek Rama. Sipas shtypit belg, Peter Swinen, miku i Edi Ramës, i zgjedhur prej tij për të menaxhuar Atelier Albania, ka ndikuar në shpalljen e fituesit të konkursit. Ka favorizuar mikun e tij”, tha Boçi.

Deputeti shtoi se “Atelier Albania është punishtja e Edi Ramës nga ku do të fabrikohen interesat e tij dhe të klientelës së tij, siç ishte ai i Lungo Mares”.

“Sot, asgjë tjetër nuk e lidh Edi Ramën më shumë me Brukselin, se sa skandalet e tij. Akte këto të kryeministrit, krejt të kundërta nga ato që kërkon anëtarësimi dhe qendra e Bashkimit Europian”, përfundoi fjalën e tij deputeti demokrat.

Top Channel