Mos u tregoni miqve që jeni të lumtur

13/04/2015 00:00

Sapo je kthyer nga një udhëtim fantastik? Gjete punën që dëshiroje aq shumë? Mezi pret të tregosh se sa mirë shkojnë gjërat me njeriun e zemrës? Me pak fjalë, punët po të ecin shkëlqyeshem!!! Mirë fare, vetëm mos i trego miqve!

Sipas studimit më të fundit të publikuar nga revista ‘Psychological Science’, t’i rrëfesh shokëve të afërt eksperiencat e tua të jashtëzakonshme, mund të prodhojë efektin e kundërt nga ai i dëshiruari. Kjo, për shkak se i bën bashkëbiseduesit të ndihen “të përjashtuar” nga gjërat pozitive që ndodhin në jetën tënde.

Lumturia është e vërtetë vetëm nëse ndahet me të tjerët, do të shkruante pak përpara vdekjes në ditarin e tij i riu Christopher Johnson McCandless, mbi historinë e të cilit mbështetet filmi ‘Into the Wild’.

Shkenca e kundërshton këtë pohim: të ndash lumturinë me të tjerët, sipas saj, nuk është gjithmonë kaq e lehtë.

“Gjithmonë kam pyetur veten nëse episodet e mrekullueshme që mezi presim t’ua tregojmë të tjerëve mund të sjellin më shumë të këqija sesa të mira”, shpjegon autori Gus Cooney, i Universitetit të Harvardit. Eksperimenti i kryer mbi një grup prej 68 vullnetarësh, i mbështet plotësisht të tilla pohime.

“Pjesëmarrësit ishin të bindur se miqtë do të gëzoheshin për eksperiencat e tyre të jashtëzakonshme, por e kishin gabim”, thotë Cooney.

Ndërveprimi, kujton ai, mbështetet gjithmonë tek ngjashmëria e situatave dhe përvojat tepër pozitive thjesht kanë krijuar distancë mes personave që i kanë përjetuar dhe bashkëbiseduesve, duke mbërritur deri aty sa të kompromentojnë edhe raportin mes miqve.

Top Channel