Pallati i Brigadave drejt restaurimit, më pas godina do bëhet e vizitueshme

13/04/2015 00:00

Pallati i Brigadave është një nga perlat e arkitekturës shqiptare, i cili u projektua nga dy arkitektë mjaft të njohur italianë.

Ishin vitet 1930-1940, kur në këtë hapësirë të kryeqytetit u projektua ndërtimi i kësaj vile mbretërore për monarkun Ahmet Zogu, nga arkitekti i njohur italian Gulio Berte dhe u kompeltua me të gjitha detajet e kërkuara mbretërore gjatë viteve 1939-1941 nga Gerardo Bosio, një emër mjaft i rëndësishëm në arkitekturën botërore.

Sot, Ministria e Kulturës kërkon të hapë dyert e këtij pallati madhështor, në të cilin nuk është kryer asnjë lloj restaurimi që prej viteve 1970. Ndaj, më parë kërkohet një diagnostikim i detajuar për të kryer restaurimet e nevojshme.

“Do ta hapim në mënyrë që të mos jetë thjesht një shfaqje, por një qendër funksionale arti, kulture, turizmi, aktiviteti social dhe ekonomik. E gjitha kjo duhet të bëhet në bazën e një studimi. Kemi një vit që punojmë për të arritur në fazën e parë, tani hymë në të dytën për përgatitjen e konkursit ndërkombëtar për projekte zhvillimore për jetësimin e Pallatit të Brigadave. Natyrisht që kjo do kohën e vetë, sepse bëhet fjalë për një pallat gjigand”, deklaroi ministrja Mirela Kumbaro.

Në një takim me arkitektë të huaj dhe shqiptarë u tha se ky pallat, por edhe ambjentet që lidhen me të kanë probleme të mëdha me filtrimin e ujit, izolimin, elektricitetin, restaurimi i të cilave kërkon shumë para. Arkitekti Artan Shkreli pohon se vetëm për të kryer si duhet filtrimin e ujit duhen 500 mijë euro.

“Vetëm për të shmangur problemin e infiltrimit të ujërave duhet një ndërhyrje prej rreth 500 mijë euro. Pastaj është edhe sistemi elektrik, i cili është në një rrezik eminent zjarri. Këto të dyja, bashkë me qëndrueshmërinë statike të objektit përbëjnë tre pikat kryesore ku është përqendruar ky diagnostikim”, deklaroi Shkreli.

“Ky është një shembull shumë i mirë se çfarë mund të bëhet me trashëgiminë kulturore. Një ndërtesë si kjo duhet të kthehet në një mekanizëm të gjallë që njerëzit duhet ta shohin. Trashëgimia kulturore ka rolin e saj në zhvillimin ekonomik dhe arsimor”, deklaroi më tej Michael Granoff, drejtues i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Ministria e Kulturës tha se do të punohet me kujdes për restaurimin e kësaj godine, por edhe të gjitha hapësirave që lidhen me të, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet për evente të caktuara, por edhe të vizitohet nga qytetarët.

Top Channel