Punimet në autostradë, aksi Tiranë-Kashar ende i bllokuar; kaos në qarkullim

13/04/2015 00:00

Punimet që po kryhen në një pjesë të autostradës Tiranë-Durrës kanë paralizuar prej 3 ditësh trafikun në segmentin rrugor nga rreth-rrotullimi i Doganës deri tek mbikalimi i Kasharit.

Dhe ky paralizim, përveçse krijon stres në timon për të gjithë drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët që duhet të kalojnë në këtë rrugë kaq të rrahur, rrezikojnë të mbajnë të bllokuara në trafik edhe mjetet e emergjencës, siç janë ato të ndihmës së shpejtë mjekësore.

Oraret e pikut të trafikut janë në mëngjes, nga ora 7 deri në orën 9 dhe pas mesditës, nga ora 16:00 në 18:00, kohë gjatë së cilës ky aks është më i rrahur nga drejtuesit e mjeteve që hyjnë dhe dalin nga kryeqyteti.

Në ditë të zakonshme të gjithë janë ndeshur me trafik në orët e pikut, por për shkak të bllokimit të rrugës nga njëri drejtim, tashmë çdo orar është kthyer në orar piku për këdo dhe për çdo mjet.

Punimet për riveshjen e rrugës me asfalt nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kanë nisur më datë 10 prill dhe pritet të përfundojnë më datë 20 të të njëjtit muaj.

Ato do të ndahen në 5 ditë nga njëri kah i autostradës dhe 5 ditë të tjera në kahun e kundërt. Gjatë kësaj periudhe, trafiku është devijuar në rrugën dytësore, duke nisur nga Mbikalimi i Kamzës deri në Mbikalimin e Kasharit.

Lëvizja është e mundur vetëm në një kah, drejtimin Tiranë-Vorë, sipas autoriteteve për të parandaluar ngjarjet aksidentale rrugore. Por derisa punimet të përfundojnë, shoferët duhet të maten mirë dhe të llogarisin jo vetëm kohën, por edhe nervat në trafikun e krijuar.

Top Channel