Babai: Jules Bianchi po lufton, shpesh na shtrëngon edhe duart

13/04/2015 00:00

“Me siguri mund t’u them se Jules po lufton me forcë. E ka bërë përpara incidentit dhe po e bën edhe pas tij”. Këto janë fjalët e babait Philippe, i cili ka rrëfyer jetë e familjes Bianchi pas incidentit të Suzukës, të 5 tetorit të vitit të kaluar, i cili “u ka përmbysur botën”.

Në intervistën e dhënë për një media franceze, babai i pilotit të Marussias ka zbuluar diçka në lidhje me gjendjen shëndetësore të të birit, i cili është në koma që prej incidentit të tmerrshëm të Çmimit të Madh të Japonisë, kur doli me makinën e tij Marussia nga pista dhe u përplas me një vinç të përfshirë në një aksion për të larguar një tjetër makinë të përplasur. Jules pësoi një dëmtim cerebral të përhapur, për të cilin vështirë se mund të parashikosh se si do të përfundojë.

“Çdo ditë Jules kryen nga një maratonë – është shprehur babai Philippe. – Nga këndvështrimi klinik, gjendja e tij është e qëndrueshme, e pavarur, nuk ka probleme fizike, ndërsa të gjithë organet jetike funksionojnë pa ndihmën e pajisjeve shtesë. Por ndodhet në koma dhe i pandërgjegjshëm”.

E megjithatë, mësohet se ka pasur progres. “Për këto lloj traumash, nga sa dihet deri më sot, përmirësimet janë tepër të ngadalta. Por krahasuar me të dhënat e ofruara nga mjekët pasi e operuan në Japoni, jemi në një situatë si nata me ditën. Kur shkuam në Japoni dukej sikur nuk kishim më shpresa, parashikimet ishin alarmuese dhe flisnin për një pritshmëri njëvjeçare, përpara se ta transferonim në Francë. Por kjo gjë ndodhi brenda 7 javësh dhe Jules merr frymë normalisht”.

Familja i qëndron pranë Julesit thuajse gjatë gjithë ditëve, në përpjekjet e tyre për t’i ofruar mbështetje dhe stimuj. “Është e rëndësishme, – thotë Philippe. – Duhet të ndiejë një prezencë të vazhdueshme në krah të tij. Alternohemi shpesh: unë, mamaja e tij, vëllai dhe e motra. Por është edhe Gina, e fejuara e tij gjermane, e cila jeton këtu me ne. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, shpeshherë është më aktiv, lëviz më shumë dhe na shtrëngon duart. Nuk e di nëse janë thjesht reflekse apo më shumë se kaq, është tepër e vështirë ta mësosh këtë gjë”.

Në intervistë, Philippe Bianchi falënderon të gjithë komunitetin e Formula 1 dhe tifozët, të cilët në këto 6 muaj kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme.

Top Channel