Pranga 4 personave të shpallur në kërkim nga policia

13/04/2015 00:00

Katër persona të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave të ndryshme penale janë arrestuar nga policia në 24 orët e fundit, në disa rrethe të vendit.

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se, në Shkodër u kap shtetasi Alban Ballçiti, i shpallur në kërkim për “vrasje të mbetur në tentativë”. Mësohet se 41-vjeçari Ballçiti është i dënuar me 6 vjet burg nga Gjykata e Apelit në Shkodër.

Ndërsa në Ersekë u ndalua shtetasi në kërkim Ardian Mimini, 53 vjeç, banues në fshatin Qinam. “Gjykata e Apelit në Korçë, në fillim të këtij viti, ka dënuar atë me 5 vjet burg, për ‘prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake’ si dhe ‘vrasje nga pakujdesia”, saktësoi Policia e Shtetit.

Po sipas të njëjtave burime, në Pikën e Kalimit në Goricë të Korçës, në dalje, u kap 22-vjeçari nga kryeqyteti Alban Guri, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burg për vjedhje.

Aksionet e policisë kanë vijuar në Kukës, ku u ndalua shtetasi në kërkim Bilbil Cara, 44 vjeç, banues në fshatin Lusën. “”Gjykata së Shkallës së Parë në Kukës ka vendosur ndaj Carës masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për vjedhje”, përfundon njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit.

Top Channel