Dhjetë vite më parë u vendos në qendër të vëmendjes së mediave gjermane për faktin se në moshën 56-vjeçare solli në jetë fëmijën e saj të 13-të. Një dekadë më vonë, Anngret Raunigk habit akoma më shumë.

Në moshën 65-vjeçare Anngret jo vetëm që është sërish shtatzënë, por pret jo një, as dy, por plot katër fëmijë.

Kjo ishte e mjaftueshme për revistën “Bild” dhe për Televizionin RTL që t’i kushtonin një vëmendje të veçantë gruas që vendosi rekordin duke lindur në moshën 65-vjeçare katërnjakë.

Vetë Anngret thotë se përpjekjet për të mbetur shtatzënë sërish i nisi kur vajza e saj e vogël, që ka 10 vjeç, i shprehte vazhdimisht me këmbëngulje dëshirën për të patur një vëlla më të vogël. Megjithatë, ‘katërfishimi’ i dëshirës së 10-vjeçares ishte tronditës për vetë 65-vjeçaren.

“Kur mjekët më zbuluan që ishin katërnjakë, m’u desh që të ndalesha për një moment dhe të mendoja”, thotë ajo duke rrëzuar në mënyrë të menjëhershme çdo mundësi për abort.

65-vjeçarja mban vendin e parë në botë për lindjen e katërnjakëve në këtë moshë, ndërkohë që vendi i parë sa i përket vjetërsisë i takon Omkari Panwar, grua indiane që ka lindur në moshën 70-vjeçare.

Top Channel