Ferrari, një vit pa Domenicalin. “Guri” i parë i “dherave” që rrëshqitën…

13/04/2015 00:00

Plot një vit pa Domenicalin. Të hënën e 14 Prillit 2014, nga “Maranello” erdhi komunikata e shkarkimit të Stefano Domenicalit, i cili punonte me Ferrarin prej vitit 1991, ndërkohë që kaloi në krye të sektorit të Menaxhimit Sportiv prej 1 Janarit 2008.

Ishte “guri” i parë i “dherave” që rrëshqitën nga një mal, i cili ishte gati për t’u shkërmoqur, por ende askush nuk mund ta parashikonte që brenda një viti, veç Domenicalit, do të largoheshin edhe zëvendësi i tij Mattiacci, përgjegjësi i motorëve Marmorini, përgjegjësi i aerodinamikës Tombazys, presidenti i Ferrarit Montezemolo, e në fund edhe piloti spanjoll Fernando Alonso.

Le të themi që pas Domenicalit nisi edhe rrjedha e madhe. “Jashtë të gjithë!”.

Stefano Domenicali sot është një udhëheqës  i respektuar dhe që paguhet nga Audi, në Gjermani. Një pikë referimi mes një grupi, që fitoi gjithçka ishte për t’u fituar gjatë gjithë “jetëgjatësisë” së tij me “kokëkuqen”, i cili tashmë po sheh rreth e rrotull për të provuar sfida të reja. Domenicali varej drejtpërdrejt nga presidenca. Stefano është një menaxher i lumtur, bën një punë stimuluese dhe shpesh duke mos qenë në qendër të vëmendjes, madje edhe kujdeset dhe lumturohet me familjen e tij. Pse jo, sfida për të ardhmen shumë shpejt do të jetë realitet.

Një vit pas, mund të thuhet qetësisht se ai divorc u ka bërë mirë të gjithëve: Ferrarit dhe Domenicalit. Te Ferrari, në mënyrë të dukshme kishte ardhur momenti për të ndryshuar udhëheqjen dhe Domenicali ishte vetëm i pari. Edhe vetë Montezemolo e kishte mendjen të mbushur, se aventurës së tij me “kokëkuqen” i kishte ardhur fundi, edhe pse largimin e kishte parashikuar për këtë vit dhe jo në fund të sezonit të kaluar.

Të ardhurit e rinj kanë sjellë freski dhe entuziazëm, pasi të gjithë duan të tregojnë se mund të japin më shumë. Dhe rezultatet janë fare të dukshme: 3 podiume në 3 garat e para të sezonit. E megjithatë, t’u japësh merita të ardhurve të rinj nuk do të thotë që ata ekzistuesit kanë bërë vetëm gabime.

Mjafton ta nisim nga James Allison, “babai” i njëvendëshes së re të këtij sezoni, i cili është afruar te Ferrari pikërisht nga Domenicali. Për të kaluar më pas te Vettel, i cili i ka pasur kontaktet e para me Montezemolon, pikërisht kur ishte ende Domenicali në detyrë dhe Alonso në atë kohë nisi të irritohej, e që në fund arriti të nënshkruante me skuderinë nga Maranello pikërisht nën drejtimin e Mattiaccit.

Rezultatet e sotme janë fryte të një pune të nisur prej kohësh. Ndoshta edhe më herët sesa një vit më parë, kur Domenicali prezantoi dorëheqjen, duke e lënë “Maranello”-n me kokën lart. Eh, e sigurt që edhe Domenicali ka festuar për triumfin e Vettelit në Malajzi, kjo pasi ai e ka në zemër Ferrarin, edhe pse tashmë do të përpiqet ta mposhtë atë…

Top Channel