Kosovë, koordinohet organizimi i tubimit të opozitës

13/04/2015 00:00

Krerët e tri subjekteve opozitare në Kosovë janë takuar sërish, këtë herë në selinë e Vetëvendosjes, për të koordinuar përgatitjet për organizimin e protestës së 18 Prillit.

Përfaqësuesit e opozitës fajësuan partitë e koalicionit qeverisës, të cilat sipas tyre po dezinformojnë qytetarët, duke u thënë se protesta do të jetë e dhunshme.

“Në protestën e ardhshme do të protestohet me dinjitet, në mënyrë paqësore dhe do të jetë masive. Me të vërtetë që është tepruar dhe kjo është bërë nga shkalla e kapjes së shtetit nga keqpërdorimi dhe abuzimi me qytetarin. Çmimi i energjisë është gjithashtu shumë i shtrenjtë. Për të vijuar më pas me temat, që i kemi prekur dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te jeta e qytetarit”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

“Dita e shtunë është ditë e bashkimit të të gjithë zërave, të të gjithë atyre njerëzve të pakënaqur, që kanë motive të ndryshme dhe duhet të ofrohen. Të bashkohemi, që këtë zë ta ngrejmë në Prishtinë, duke i ftuar që të gjithë të marrin pjesë në një protestë dinjitoze, paqësore”, tha Fatmir Limaj, kryetar i “Nisma për Kosovën”.

Pas takimit, në emër të Vetëvendosjes kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka publikuar edhe hartën e lëvizjeve, që do të bëjnë protestuesit.

Sipas hartës, protestuesit do të mblidhen në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojnë drejt Koorporatës Energjetike të Kosovës, pastaj do të ndalen pranë Gjykatës Kushtetuese, për të përfunduar te televizioni publik.

“Po e shihni se çfarë papunësie kemi, po e shihni se çfarë po ndodh me sistemin tonë. Pa e ngritur zërin qytetarët, këto gjëra nuk do të ndryshohen. Prandaj ky është mesazhi, që duhet t’u dërgojmë të gjithë atyre, të cilët mendojnë se mund të vazhdojnë me kapjen e shtetit. Me një numër sa më të madh, t’iu tregojmë se kështu nuk vazhdohet më dhe se nuk do të ndalemi me këto kërkesa, derisa të arrijmë suksesin dhe fitoren”, tha Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare paralajmëruan edhe dy takime të këtij niveli para protestës, për të koordinuar përfundimin e organizimeve për të.

Top Channel