Shoqata e Investitorëve të Huaj: Presion i papranueshëm ndaj “Bankers”

13/04/2015 00:00

Shoqata e Investitorëve të Huaj e ka konsideruar si presion të padrejtë, atë që sipas saj po ushtrohet ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, pas incidentit që ndodhi në Marinzë.

Përmes një njoftimi zyrtar, shoqata vëren se “Bankers” është një nga investitorët më të mëdhenj dhe tatimpaguesi më i madh në vend.

Sipas saj, kompania ka një histori të përsorur operative dhe transparence dhe po sulmohet edhe pse ka marrë përgjegjësi të plotë për të kompensuar dëmet.

Shoqata thotë se nuk mund të pranojë përdorimin instrumental të ngjarjeve fatkeqe për të dëmtuar reputacionin dhe imazhin publik, sipas saj, të një prej kompanive më të mira të huaja në Shqipëri.

Në fund, grupimi i investitoreve të huaj vëren se, komente të tilla armiqësore mund të dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme besimin e investitorëve të tjerë të mundshëm, me rrezikun që korporatat serioze, të tilla si “Bankers”, mund të riorientojnë investimet e tyre të planifikuara diku tjetër.

Top Channel