Rusia, asnjë pengesë për këmbimin naftë për mallra me Iranin

13/04/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin iu hapi rrugë këtë të hënë dërgesave të sistemeve raketore drejt Iranit, ndërsa Moska ka nisur gjithashtu edhe këmbimin e naftës për mallra konsumi me Teheranin, duke treguar kështu vendosmërinë e Kremlinit për të përforcuar marrëdhëniet ekonomike me Republikën Islamike.

Lëvizja e fundit vje pasi fuqitë botërore, përfshi Rusinë, arritën një marrëveshje të përkohshme kuadër me Iranin për ndalimin e programit bërthamor të këtij të fundit, duke sinjalizuar kështu edhe faktin që Moska mund të jetë kryesuesja në garën për të përfituar nga heqja eventuale e sanksioneve kundër Teheranit.

Kremlini njoftoi se Putin nënshkroi një dekret që heq kufizimin rus ndaj dërgesave të sistemeve antiraketore S-300 drejt Iranit, duke hequr kështu një pengesë irrituese mes dy vendeve, pasi Moska anuloi një kontratë përkatëse në vitin 2010 për shkak të presionit nga Perëndimi.

Një zyrtar i lartë i qeverisë tha se Rusia ka nisur furnizimin me drithëra, mjete dhe materiale ndërtimi drejt Iranit, në këmbim të naftës bruto, sipas marrëveshjes së këmbimit. Burime të tjera kanë thënë për “Reuters” më shumë se një vit më parë, se kjo marrëveshje 20 miliardë dollarëshe është diskutuar me Teheranin dhe nënkuptonte që Rusia të blinte rreth 500 mijë fuçi nafte në ditë nga Irani, në këmbim të mallrave dhe pajisjeve ruse.

Zyrtarë prej të dy vendeve kanë lëshuar deklarata kontradiktore që prej asaj kohe, nëse ishte nënshkruar kjo marrëveshje këmbimi, por zv.ministri i Jashtëm Sergei Ryabkov theksoi se një e tillë është implementuar tashmë. “Dua t’iu bëj me dije për arritjen e një marrëveshjeje naftë-për-mallra, e cila është në një shkallë tepër domethënëse”, iu tha Ryabkov anëtarëve të dhomës së ulët të Parlamentit në lidhje me bisedimet me Iranin. “Në këmbim të naftës iraniane, ne do të dërgojmë disa produkte. Kjo gjë nuk ndalohet apo kufizohet nga regjimi aktual i sanksioneve”.

Rusia shpreson që të sigurojë përfitime ekonomike dhe tregtare, në rast se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet pas asaj kuadër të arritur në Lozanë të Zvicrës, mes Iranit dhe 6 fuqive botërore, ku bëjnë pjesë Rusia, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Gjermania dhe Kina.

Top Channel