Goleadë në Korçë, Skënderbeu rimerr kreun, ndalet Kukësi

13/04/2015 00:00

Skënderbeu ka mposhtur me rezultatin 5-2 skuadrën e Partizanit dhe i ka rimarrë kreun e tabelës skuadrës së Kukësit, që barazoi pa gola më herët ndaj Laçit.

Pritej një takim i mbyllur por goli i Lilajt në minutën e 13-të përcaktoi një tjetër rrjedhë për këtë përballje. Latifi në minutën e 38 dyfishon, ndërsa Raçiç në minutën e 45 rikthen në lojë Partizanin.

Kur ende nuk kishin përfunduar festimin, mbrojtja e Partizanit kapet e papërgatitur dhe Berisha rikthen diferencën e dy golave avantazh. Pjesa e parë mbyllet 3-1.

Në pjesën e dytë është sërish Skënderbeu që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 54, pesë minuta më vonë Raçiç shkurton sërish, por vetëm kaq pasi vendasit vulosin rezultatin 5-2 me Radas në minutën e 65.

Skënderbeu e sheh veten në krye falë barazimit pa gola të Kukësit përballë Laçit në “Zeqir
Ymeri”. Vendasit
u përpoqën të marrin 3 pikët në “Zeqir Ymeri”, por kurbinasit u
mbrojtën mirë dhe u munduan të shfrytëzojnë kundërsulmin.

Me kalimin e minutave nervozizmi në fushë dhe në shkallët e stadiumit
nisi të rritej, deri në përfundim të takimit kur edhe shpërtheu. Tifozët
kuksianë hodhën sende ndaj lojtarëve të Laçit që dolën nga fusha nën
shoqërimin e forcave të policisë.

Kur kanë mbetur edhe gjashtë javë nga fundi Skënderbeu e sheh sërish veten në krye të klasifikimit në kuoten e 63 pikëve, duke lënë pas Kukësin me 62 pikë, Tiranën në vendin e tretë me 60 pikë dhe Partizani në vendin e katërt me 59 pikë.

Top Channel