Fshatrat e Korçës, rrugë si në mesjetë

13/04/2015 00:00

Është jo më tepër se dy kilometra gjatësia totale e tre rrugëve hyrëse në fshatrat Mborje, Drenovë e Ravonik, që prej vitesh janë të shkatërruara dhe bëhen pengesë për lëvizjen e banorëve.

Mijëra familje të cilat jetojnë në këto fshatra, jo pak të njohura sa i takon vlerave të tyre historike e kulturore, çdo ditë udhëtojnë mes gropave e pluhurit pasi prej vitesh në to nuk është bërë asnjë ndërhyrje që do të përmirësonte gjendjen.

Mungesa e koordinimit mes Komunës së Drenovës dhe Bashkisë së Korçës i ka lënë këto rrugë pa mirëmbajtje për mëse 30 vite, duke vështirësuar lëvizjen dhe tejzgjatur udhëtimin drejt qytetit.

Por, pasi për një periudhë të gjatë përgjegjësia është hedhur sa tek Komuna, sa tek Bashkia, situata duket se ka gjetur zgjidhje vetëm në kuadrin e reformës territoriale.

Bashkia e Korçës nga ana e saj bën me dije se së shpejti në këto rrugë do të kryhen disa ndërhyrje për t’i dhënë zgjidhje përfundumtare këtij problemi.

Zgjerimi i kufijve territorialë të Bashkisë së Korçës ka bërë që kjo e fundit të reagojë me projekte konkrete përballë situatës alarmante.

Top Channel