PD: Rama manipuloi procesin ndaj Mziut. Kandidati i PS për Kamzën, i përfshirë në grabitje

13/04/2015 00:00

Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Gerti Bogdani ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për sulm ndaj opozitës përmes dënimit të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Në një deklaratë për mediat, Bogdani ka akuzuar Ramën se ka ndërhyrë vetë drejtpërdrejt, duke manipuluar e duke sajuar një proces të paqënë ndaj Mziut, pa prova e pa fakte.

“Kandidati i opozitës akuzohet nga Edi Rama për një tender që nuk është bërë kurrë, ku nuk ka asnjë dëm ekonomik, ku nuk ka asnjë pasojë. Çfarë ka është vetëm skema e Edi Ramës përmes segmenteve të kapura prej tij dhe presionit të tij në prokurori e gjykatë, për të eleminuar kundërshtarin në një bashki të rëndësishme. Pra, një përpjekje për ta arritur Kamzën në tavolinë, pa garë”, ka deklaruar Bogdani.

Sulmit që PD pretendon se i është bërë përfaqësuesit të saj në Kamzë, deputeti Bogdani i është përgjigjur me një kundërsulm në adresë të kandidatit të PS për këtë bashki.

“Po kush është kandidati i zotit Rama për Kamzën, ndërkohë që ai sulmon opozitën? Është Safet Gjici, për të cilin kemi sot disa pyetje. A ka dijeni ai për grabitjen e 6 milionë eurove në mes të ditës nga një bankë në Tiranë? Pse kompania e tij e sigurimit dështoi në mënyrë spektakolare dhe nuk bëri asnjë përpjekje për të ndaluar grabitjen? Pse vëllai i tij, pjesë e eskortës së sigurimit nuk u mbajt asnjë ditë në burg? Pse policia e ka varrosur si çështje duke mos bërë asnjë hap edhe pse kjo është një nga grabitjet më të mëdha të bëra në Shqipëri? A janë të mjaftueshme për Gjicin 6 milionë euro për të fituar mandat kryebashkiaku”, ka thënë Bogdani.

Ai ka paralajmëruar Ramën se, “asnjë marifet i tij kriminal nuk do ta ndihmojë përballë humbjes së sigurtë në Krujë, në Kamëz e kudo në Shqipëri”.

Top Channel