Vizitoni Shqipërinë, guida e agjencisë britanike

13/04/2015 00:00

Shqipëria është ‘sekreti’ i fundit i Mesdheut. E mbyllur për dekada për shkak të regjimit komunist, vendi i ka shpëtuar ‘zhvillimit’ dhe shumë plazhe mbeten ende të virgjëra, megjithatë kohët po ndryshojnë dhe mund të gjeni hotele dhe shtëpi akomodimi në çdo qytet.

Me këtë këshillë të parë “Wanderlust”, një agjenci turistike britanike këshillon klientët e saj për të vizituar vendin tonë.

“Wanderlust” shkruan për plazhet, zonat historike, qytetet që duhet të vizitohen për trashëgiminë e tyre historike mes të cilëve Kruja, Berati, Gjirokastra dhe Durrësi, por pa harruar Butrintin dhe Alpet, ndërsa për ata që kanë kohë të kufizuar, këshillohet udhëtimi me teleferik në Malin e Dajtit.

“Vizitoni ndërtesat  dhe monumentet e epokës komuniste, megjithëse nuk kanë mbetur shumë prej tyre. Ndaluni në Krujë, Durrës, Gjirokastër dhe Berat, vizitoni shtigjet e pashkelura të Alpeve shqiptare dhe mos harroni zonën mahnitëse të Butrintit ku koha ka shkrirë bashkë trashëgiminë ilire, romake, bizantine, osmane dhe veneciane”, shkruan agjencia.

Artikulli mbërrin pas Javës së Turizmit në Natyrë të organizuar dhe financuar nga USAID.

Top Channel