Kosovë, trajnime për luftën kundër korrupsionit

13/04/2015 00:00

Protagonistët në çështjen e luftimit të korrupsionit në Kosovë do të mblidhen për rreth nëntë muaj në trajnime, tryeza të rrumbullakëta, vizita studimore e konferenca rajonale që të shkëmbejnë ide e përvoja me vendet e tjera, me synim që të luftojnë më me sukses korrupsionin e shkallës së lartë.

Kjo do të bëhet e mundur në kuadër të një projekti të financuar nga ambasada e gjermane në Kosovë dhe të zbatuar  nga Misioni i OSBE-së në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale.

Projekti ka për qëllim të ndihmojë Policinë e Kosovës rreth fuqizimit të kapaciteteve që kanë për të hetuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger tha se për t’i shndërruar në rezultate, përpjekjet e institucioneve në luftën kundër korrupsionit, Schlumberger tha se ka nevojë për zotim më të madh politik.

Ai tha se institucionet në Kosovë ende janë në një fazë të hershme të luftës së përgjithshme kundër korrupsionit.

“Raporti i progresit për vitin e kaluar për Kosovën, tregon se hetimet penale kundër korrupsionit janë rritur, megjithatë numri i dënimeve të shqiptuara është ende i ulët dhe institucionet në Kosovë ende janë në një fazë të hershmet luftës së përgjithshme kundër korrupsionit.”

Ndërsa zëvendës shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane, Matthias Kiesler tha se investitorët potencial që vijnë nga jashtë në Kosovë, largohen pikërisht për shkak të një imazhi jo të mirë në këtë drejtim.

Top Channel