Përkatësia e besimit na ndan në disa fe, por kur vjen puna te festat e secilit besim, shqiptarët vështirë se ndahen. Për data të rëndësishme, siç janë Krishtlindja, Bajrami apo së fundmi edhe Pashkët, pavarësisht fesë, atmosfera festive i përfshin të gjithë. Të gjithë urojnë njëri-tjetrin dhe bashkohen për të festuar.

Mbrëmjen e së shtunës deri vonë, përtej mesnate, baret, lokalet, rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera në vend, ku u festuan Pashkët kanë qenë plot. Dhe, e sigurt ishte se jo të gjithë festuesit kanë qenë katolikë apo ortodoksë. Shumë muslimanë dhe bektashinj u janë drejtuar dyerve të kishave me qirinj në duar, ndërsa tundimit të vezëve shumëngjyrëshe, vështirë se u ka shpëtuar kush…

Këta janë shqiptarët, tashmë botërisht të njohur për harmoninë fetare. Por, pavarësisht tolerancës dhe dëshirës së përbashkët për të festuar, pavarësisht përkatësive, në fund të fundit, cila qenie njerëzore do t’i shpëtonte tundimit të hashures, ëmbëlsirë tradicionale që përkon me një datë festive në kalendarin bektashian? Kush do të preferonte të ndahej nga atmosfera e darkës së Krishtlindjes?.

Këto ngjarje festive për kalendarët e feve përkatëse, përveç mesazhit që përcjellin kanë një sërë ritualesh, që të elektrizojnë me atmosferë pozitive, e mbi të gjitha të tundojnë me veçoritë gastronomike.

Top Channel