Vrasësi më i rrezikshëm, që iu merr jetën meshkujve rreth të dyzetave është vetëvrasja. Ky është konkluzioni i studimit të “Medscape Education”, i cili tregon se qindra njerëz vetëvriten në javë.
Fenomeni është përhapur më shumë se kurdoherë gjatë 14 viteve të fundit dhe burrat janë 4 herë më shumë të ekspozuar ndaj tij, sesa gratë. Autorët e hulumtimit arritën në konkluzionin se arsyeja kryesore, që i shtyn 40-vjeçarët të marrin një vendim të tillë, është situata e përkeqësuar financiare apo falimentimi dhe kjo shoqërohet me simptoma depresive.
Më pas në listë pasojnë faktorë të tjerë ndikues, si problemet me drejtësinë, çështjet e pronësisë, divorcet, si dhe dështimet në aspekte të ndryshme të jetës, ku përfshihet edhe ana profesionale.
Por, jo të gjithë që vuajnë nga çrregullimet mendore pranojnë të kurohen në Qendrat Mjekësore, të krijuara posaçërisht për depresionin. Një pjesë e tyre marrin vetë antidepresantë, të cilat herë pas here i pijnë edhe në sasi të pakontrolluar.
Sipas mjekësisë, kjo është faza e dytë më e rrezikshme, që i çon pacientët drejt greminës, pasi mungesa e konsultimit me specialistët i ndrydh më shumë ata në vetvete. Grada e fundit e sëmundjes së rrezikshme të depresionit është pikërisht vetëvrasja.
Njëkohësisht, ekspertët thonë se meshkujt janë ata, të cilët në krahasim me femrat, çdo gjë rreth tyre e përjetojnë më shumë në heshtje, sesa e shfaqin dhe kjo ndikon në akumulimin e stresit. Ka një ndryshim të madh në mënyrën sesi të dyja gjinitë shprehin atë që në të vërtetë ndiejnë.
Top Channel