Mitrovicë, vijojnë kërkimet për të zhdukurin. Policia: Jo motive ndëretnike

13/04/2015 00:00

Edhe pas tri ditësh kërkimi, autoritetet kosovare të sigurisë nuk kanë zbuluar ndonjë gjurmë të 17-vjeçarit nga Mitrovica, i cili dyshohet se ka rënë në rrjedhën e lumit Ibër. I riu Sead Alushi nga Suhodolli, fshat në veri të qytetit, është zhdukur pasi ishte parë për herë të fundit pranë lumit në pjesën veriore.

Rezultatet hetimore të policisë, deri tani tregojnë se prapa këtij rasti nuk fshihen motive ndëretnike,  ndaj dhe apelohet të mos i jepet një interpretim i tillë.

Zëvendëskomandanti policor për Veriun, Besim Hoti tha se janë arrestuar dy serbë në cilësinë e dëshmitarëve dhe janë marrë në pyetje 8 persona.

“Ajo çfarë kemi bërë deri në këtë fazë është marrja e deklaratave edhe nga familjarë të viktimave. Po flasim edhe për një person tjetër, i cili ka arritur të dalë nga lumi Ibër, i cili konsiderohet gjithashtu viktimë. Kemi deklaratën e tij dhe të tre personave të tjerë në cilësinë e të dyshuarve. Me urdhër të prokurorit publik janë ndaluar edhe dy persona të përkatësisë etnike serbe”, tha Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë për Veriun.

Hoti konfirmoi se, bashkë me 17-vjeçarin ka qenë edhe një i ri tjetër, i cili ka arritur të dalë nga uji me ndihmën e serbëve.

“Por kjo nuk ndërlidhet me incidentet, që sigurisht janë prezente në veri apo gjithandej Kosovës. Pikërisht ne, si polici dëshirojmë të bëjmë thirrje, që kjo çështje të mos ndërlidhet me incidentet e tjera”, tha Besim Hoti.

Familjarët nuk dinë asgjë për fatin e 17-vjeçarit që nga e premtja. Duke qenë se ky rast vjen në kohën kur në veri janë rikthyer tensionet, autoritetet bëjnë thirrje që të mos i jepet konotacion ndëretnik, sepse mund të tensionohet situata.

Nga burime jo zyrtare është pretenduar se 17-vjeçari kishte shkuar për të vjedhur në veri, nga ku ishte ndjekur nga serbët. Por familjarët e mohojnë këtë informacion, duke treguar se ai në fakt kishte kërkuar para në shtëpi, për të blerë një qen për një shok.

“Gëzimi, shoku i tij, e ka çuar të blejë një qen. Gëzimi i ka dhënë atij 120 euro, por serbi ka thënë se kushton 140 dhe Seadi i ka kërkuar nënës së tij 20 euro. I ka thënë se do t’iua rikthente Gëzimi, por ajo nuk ia dha dhe ai doli jashtë”, tha xhaxhai i Sead Alushit.

Sidoqoftë, kërkimet në terren kanë vazhduar edhe të hënën, përgjatë shtratit të lumit Ibër. Sipas policisë, zhytësit kanë arritur të kalojnë urën e hekurt të Komunës së Zveçanit dhe kanë mbërritur deri te vendi i quajtur Grabovc. Ky rast bëri që, për herë të parë Forcat e Sigurisë së Kosovës të dalin në veri, ndërkohë që është vlerësuar lart edhe bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Top Channel