Investigimi i “Fiks Fare”: Ja si kthehen në kufi shqiptarët që nuk paguajnë

13/04/2015 00:00

“Fiks Fare” filloi këtë të hënë transmetimin e një investigimi, që hedh dritë mbi mënyrën sesi kthehen mbrapsht në kufi, shqiptarët që nuk paguajnë.

Emisioni “Fiks Fare” sjell fakte për mënyrën sesi trajtohen të rinjtë shqiptarë në pikat e kalimit kufitar, nga policia shqiptare por edhe ajo e vendeve fqinje.

Punonjësit e policisë, në disa pika të kalimit kufitar u kërkojnë 3 të rinjve shqiptarë nga 30-50 euro për të vulosur pasaportat e tyre, me justifikimin se nuk kanë garanci nga personi pritës.

Tre të rinj iu drejtuan zyrave të emisionit “Fiks Fare” në kompleksin e ri të Top Channel, për shkak të problemit që hasin ata sa herë dalin jashtë shtetit. “Policia jonë kufitare na hap gjithmonë probleme, na kërkojnë lekë, përndryshe nuk na lënë të kalojmë lirshëm. Ne jemi qytetarë të rregullt, pa pasur as ndalim lëvizjeje të lirë në Schengen, as nuk jemi të kërkuar nga drejtësia, thjesht na kërkojnë lekë. E kemi vënë re këtë problem sa herë udhëtojmë për në vendet e Schengenit si turistë, por edhe në vendet fqinje me ne, si Maqedonia, apo edhe më larg në Kroaci. Edhe aty ku ne mund të kalojmë lirshëm, vetëm me kartë identiteti, sërish kërkohet lekë. Justifikohen sikur duhet të kemi lekë me vete, apo garanci, por edhe kur i kemi këto, përsëri na lënë mënjanë dhe na kërkojnë nga 20-30 euro për person, për veten e tyre. Nuk shkojmë për të punuar diku tjetër, thjesht si turistë, as afatin e qëndrimit 90 ditor në këto vende nuk e kemi shkelur ndonjëherë. Përkundrazi kemi qenë mëse korrektë”, thonë të rinjtë, të cilët theksojnë se këto parà nën dorë ua kërkojnë oficerët e Policisë sonë Kufitare, qoftë shefat e mëdhenj kur janë të pranishëm, ashtu dhe policët e thjeshtë.

Njëri prej tyre u shpreh se përveç policëve shqiptarë janë edhe ata maqedonas e serbë që kërkojnë ryshfet. “40 euro për person kërkojnë policët serbë”, tha ai, duke shtuar se “nuk është as pagesë me faturë, as taksë e kalimit në këto vende, por e bëjnë thjesht për shqiptarët”.

“Duan thjesht t’i marrin për vete. Na thonë ose na jepni kaq euro, ose ju kthejmë mbrapsht. Më ndodhi kështu edhe kur po ikja për në Rumani. Më kërkuan lekë, nuk ua dhamë, na mbajtën për 30 minuta dhe na kthyen mbrapsht. Kudo që kemi paguar lekë na kanë lejuar të kalojmë”, thotë tjetri.

Pra, nuk bëhet fjalë as për persona të kërkuar nga drejtësia, nga Interpoli apo ndonjë institucion tjetër, as për “espuls” nga vendet Schengen, ndaj dhe “Fiks Fare” nisi investigimin.

Në pikën e kalimit kufitar të Murriqanit

Polici: Nëse ka ndonjë, që e di që ka ndonjë problem me pasaportën, më mirë të më thotë tani, sesa më vonë.
Qytetari 1: Jo, jo.
Polici: Çfarë jeni ju nër veti mor vlla?
Qytetari 2: Ne të tre jemi bashkë.
Polici: Jo, pyeta çfarë jeni. A njiheni?
Qytetari 2: Ne të tre po.
Polici: Dukeni si me qenë binjakë mor vëlla. Ato që nuk kishin probleme, kuptohet ajo punë që të mos i vonojmë.
 
Polici: Sa ke ndryshuar mor burrë. 16.02, pse ke bërë pasaportë tani mor burrë?
Qytetari 1: Aha, ajo e para (pasaporta e vjetër) m’u prish, prandaj.
Polici: Pa dashje, eee?
Qytetari 1: Po, pa dashje.
Polici: Ty po të ngjan? Apo më bëjnë sytë mua?
Qytetari 1: Po unë jam, çfarë ndryshimi ka? Ja karta e identitetit.
Polici: Leje kartën, leje. Ti ku do vesh, do ikësh në Gjermani?
Qytetari 1: Po jo mo, unë jam.
Shoferi i autobusit: Shiko këtu mor djalë, unë jam duke të besuar, ok? Po, po, i njëjti është, pa merak.
Polici: Nga je ti mor djalë?
Qytetari 1: Nga Mallakastra.
Polici: I padëshirueshëm je ti.
Qytetari 1: Jo pra, ja të sqaroi vëllai. Shikoje tani dhe… ja prandaj është ajo. Shikoje, lexoje të gjithën. Është nga ambasada dhe është në rregull.
Polici: Tani je ti i deportuar, apo jam unë?
Qytetari 1: Po unë mo unë…
Polici: Unë po të them që je i deportuar. Nuk je duke shkuar as në Greqi, atje ku e ke marrë këtë, as…
Polici: Të dalësh, të presësh atje…

Shoferi i autobusit: Sa lekë ke aty? Sa ke me vete? Sa?
Qytetari 1: 70 euro.
Shoferi i autobusit: I ke me vete?
Qytetari 1: Po.
Qytetari 1: Por ne i kemi prerë biletat. Të paktën t’i japim 50 euro.
Shoferi i autobusit: Ku? S’ke shanse. S’ke shanse.
Qytetari 1: Kam kaluar këtu më përpara dhe me 20 euro. Ti je shoferi tani? Apo punon aty?
Shoferi i autobusit: Jam shoferi.
Shoferi i autobusit: Më jep një 30 euroshe, ta provoj me 30. Po bëri mirë, po s’bëri…
Qytetari 1: 30 euro për 2 veta?
Shoferi i autobusit: Po jo mor djalë. Ku ka 30 euro dy veta?! Kanë për të të kthyer, për Zotin!
Shoferi i autobusit: Po ti, të lutem or djalë, unë them…
Qytetari 1: Po jemi 3 veta. Unë, ky dhe një çun tjetër.
Shoferi i autobusit: Po nuk ke shanse mor djalë, ti ke lëvizur.
Shoferi i autobusit: Po të lutem mor djalë, unë them çfarë thotë ai, jo unë. Çfarë të bëj unë? Ç’të bëj?
Shoferi i autobusit: Mor zotëri, e kupton? I kupton gjërat? Bjeri 30 (euro), ta provojmë me 30 (euro). Orë ty s’të kalon as me 50 (euro).
Qytetari 1: Jo mo në rregull jam unë. Të japim një 20-she të paktën.
Shoferi i autobusit: Do t’i nxjerr unë nga xhepi im?
Qytetari 1: Po nuk kemi more?
Shoferi i autobusit: Po mirë, unë po i çoj 20. Po më tha gjë, po të them…
Fiksi: Mirë.
Shoferi i autobusit: Ok, bjeri.
Qytetari 1: Na vllai këtu.
Shoferi i autobusit: Sa lekë ke me vete ti?
Qytetari 1: Po kam edhe 100 euro.
Shoferi i autobusit: Hajde çuna bëni nga një 50 euroshe gati.
Fiksi: Sa, 50 euroshe? Shumë o vlla…
Shoferi i autobusit: Po.
Qytetari 1: Shumë është.
Shoferi i autobusit: Ju jeni të katërt bashkë…
Fiksi: Po nga një 20-she (euro) mor burrë, se s’kena 50-she.
Shoferi i autobusit: Më jep 100 euro tani. Futi edhe 100 euro për këtë. Edhe për këtë çunin tjetër.
Fiksi: Aman se s’kena më lekë mor burrë.
Shoferi i autobusit: Merr vesh ti apo nuk merr vesh?
Fiksi: Na mbytët or burrë, aman mor burrë.
Shoferi i autobusit: Po për Zotin, çfarë të bëjmë?
Fiksi: Se 20 (euro) t’i dha ai çuni tjetër. A t’i dha 20 (euro)?
Shoferi i autobusit: Ok.
Fiksi: Sa ke aty?
Shoferi i autobusit: 90 euro.
Shoferi i autobusit: Me 50 euro nuk iu lejon me kalu. Po e provoj tani, po rri e po shkoj aty të dëgjoj se çfarë do të thotë.

Shoferi i autobusit: Kush është A…
Qytetari 2: Ja ai, ai është.
Shoferi i autobusit: Ti, ok.
Fiksi: A e vulose?
Shoferi i autobusit: A jemi në rregull këtu?
Fiksi: Në rregull.
Qytetari 2: Në rregull, rrofsh.

Fiksi (një tjetër qytetari): 50 euro të mori ty?
Qytetari: 50 euro, bëra llafe me të.
Fiksi: Sa të mori edhe njëherë?
Qytetari: 50.

Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës

Punonjësi i policisë: Garanci keni?
Qytetari 1: Jo, s’kemi shef.
Punonjësi i policisë: Po ku vini pa garanci ju?
Qytetari 1: Në Janinë.
Punonjësi i policisë: Merr një garanci dhe hajde të kalosh.
Punonjësi i policisë: Që të kalosh në një shtet të Bashkimit Europian duhet të kesh garanci, vlerë monetare dhe sigurimin e jetës.
Qytetari 1: Po mirë mor shef, ne kemi kaluar dhe s’na kanë kërkuar garanci.
Qytetari 2: Kemi njerëz atje.
Punonjësi i policisë: Atij robit që keni, i thoni na dërgo një fletë garancie dhe të ikni.
Punonjësi i policisë: Ik vazhdoni.
Punonjësi i policisë: Aq më shumë që ju keni probleme, për atë ju kanë kthyer. A më kupton?
Punonjësi i policisë: Ky ka kryq, për atë e ke. Për garanci e ke.
Punonjësi i policisë: Ti je i deportuar.
Qytetari 1: Ëëë shef ta provojmë njëherë shef. Ëëë shef.
Punonjësi i policisë: Ik t’iu sqarojë përgjegjësja e turnit. T’iu sqarojë ajo.
Qytetari 1: Ok.

Qytetari 1: Shumë garancira o shefe.
Përgjegjësja e turnit: Ëëë?
Qytetari 1: Donin garanci.
Qytetari 2: Kështu na tha ky.
Përgjegjësja e turnit: Po, ju ku do shkoni?
Qytetari 1: Deri në Janinë.
Përgjegjësja e turnit: Po. Jeni kthyer ndonjëherë nga policia?
Qytetari 1: Po nga Rumania, jo nga policia.
Përgjegjësja e turnit: Pse?
Qytetari 1: Na kërkuan shumë lekë. Ne s’iu dhamë, prandaj.
Qytetari 2: Na kërkuan nga 150 euro, po deshët të kaloni tha.
Përgjegjësja e turnit: I morët çantat?
Qytetari 1: I kemi.
Përgjegjësja e turnit: Me këmbë jeni?
Qytetari 1: Po.
Përgjegjësja e turnit: Do ktheheni mbrapa. Plotësoni kushtet…
Qytetari 1: O shefe, po neve po na presin atje në Janinë.
Përgjegjësja e turnit: Kush tha që ju presin?
Qytetari 1: Na pret një shoku ynë.
Qytetari 1: Pastaj ne më shumë do ikim jashtë. Nuk do rrimë në Greqi. Do ikim edhe më tutje. Do marrim avionin.
Përgjegjësja e turnit: Ëëë jeni për rrugë të gjatë ju. E mos ktheheni më ju…
Qytetari 1: Probleme s’kemi shefe. Shifi si t’i duash.
Përgjegjësja e turnit: Neve garanci, kshu… lekë keni?
Qytetari 1: Lekë kemi ne, po…
Përgjegjësja e turnit: Po tani më dëgjo mua mor, iua ble unë mendjen se ju shoh vetë. S’ka nevojë.
Përgjegjësja e turnit: Tani nuk e di se ç’do ëbj me juve.
Qytetari 1: E rregullojmë o shefe.
Përgjegjësja e turnit: Si do ta rregullojmë?
Qytetari 1: Si të duash ti. Çuna të rregullt jemi ne, ashtu kuptohemi. I rregullojmë gjërat.
Përgjegjësja e turnit: Si do i rregulloni, pa më thoni pak?
Përgjegjësja e turnit: Sa lekë keni me vete ju, pa më thoni pak?
Qytetari 1: Po s’kemi shumë shefe, se do na japin në Janinë.
Përgjegjësja e turnit: Ëëë edhe mua më pret një në Janinë, po ç’e do se s’vete dot.
Qytetari 1: Do rregullohemi shefe.

Përgjegjësja e turnit: Hë mo ti tjetri, pa dale ti.
Qytetari: Shikoje.
Përgjegjësja e turnit: Çfarë t’i shikoj? E pashë.
Qytetari: Ç’do bëjmë.
Përgjegjësja e turnit: Ç’do bëjmë ëëë? Bjere këtu atë.
Qytetari: Hajde. (Qytetari i zgjat disa kartëmonedha).
Përgjegjësja e turnit: U harxhove, u harxhove, po ik, ik.
Përgjegjësja e turnit: Na, po kam idenë se…
Qytetari: Do kthehem prapë ëëë?
Përgjegjësja e turnit: Po, po, mendoj se…
Qytetari: Çfarë thua? Nejse, rrofsh. Falemnderit ty.
Përgjegjësja e turnit: Ik se do kish kaluar ai për këtë behar. Hajde.

Përgjegjësja e turnit: Ç’do bëj me juve?
Qytetari 1: Do ta rregullojmë shefe, ti na thuaj…
Përgjegjësja e turnit: Ç’do rregullosh? Hë? Ç’do na rregulloni?
Qytetari 1: Po ti e di o shefe…

Përgjegjësja e turnit: Ju do ikni dhe s’do ktheheni më?
Përgjegjësja e turnit: Po sa keni secili me njëri-tjetrin, sa lekë keni?
Qytetari 1: Po ku kemi…
Përgjegjësja e turnit: Po që të ikni tani mor?
Qytetari 1: Po tani, për rrugë kemi nja 200 euro.
Përgjegjësja e turnit: Po do vini tani te Dogana. Do vemi një vizitë t’i thoni njëditore në Janinë. Do vemi e do kthehemi tani.
Qytetari 1: Po.
Përgjegjësja e turnit: Te një shoku jonë. Do kërkojë ai, po prenotimine  hotelit ku e keni, do thotë…
Përgjegjësja e turnit: Gorrica juve.
Qytetari 1: Ta provojmë njëherë  shefe.
Përgjegjësja e turnit: Po, po u pyeti keni parasysh. Ju s’keni lekë fare.
Përgjegjësja e turnit: Unë them që të ikni, jo të taleni, se unë…
Përgjegjësja e turnit: Ç’më kushton mua? Ja për mua ju lashë, po problemi që të ikni. Jo të ikni e të ktheheni. Prandaj them.
Qytetari 1: Shefe, po këtu te kjo do japim pranë kafe ne? Te vula?
Përgjegjësja e turnit: Ti ke hallin se…
Qytetari 1: Se s’kemi edhe shumë lekë.
Përgjegjësja e turnit: Kërkoni shumë.
Përgjegjësja e turnit: Më sill një 500 leksh.
Përgjegjësja e turnit: Mos na keni ndonjë kamera?
Përgjegjësja e turnit: Hajde t’iu çoj unë atje. Mos thoni gjë, që keni qenë me mua… tutje…
Qytetari 1: Rrofsh, shumë falemnderit.

Top Channel