Miratohet draft-rezoluta për Shqipërinë. Mbështetje për integrimin, rekomandime për luftën ndaj krimit

14/04/2015 00:00

Me 51 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenime, Komiteti i Jashtëm në PE miratoi draft-rezolutën për Shqipërinë, e cila mbetet subjekt ndryshimesh deri në votimin përfundimtar në seancën plenare të 30 Prillit në Strasburg.

Ashtu siç ishte lajmëruar në TCH, kaluan me shumicë votash 16 amendamentet e kompromisit, 9 individuale, kryesisht propozimet e Macoveit për Gjyqësorin, ndërsa u hodhën poshtë ato të ekstremistëve të djathtë për mosintegrimin e vendit në BE.

E majta dhe e djathta europiane nuk i shpëtuan as kësaj radhe ndërhyrjeve partiake të Tiranës, megjithëse të tilla rezoluta nuk kanë fuqi ligjore në BE, por janë vetëm këshilluese.

Shqetësimi i Kukanit “për mungesën e pavarësisë së mirëfilltë në media, mungesën e transparencës mbi financimin dhe pronësinë e saj”, përfshirë dhe pasazhin e kërkuar nga PD mbi zgjedhjen e kreut dhe anëtarëve të bordit të AMA-s, “çfarë është vënë në pikëpyetje nga opozita shqiptare”, siç cilëson amendamenti oral, siguroi dhe votat e socialdemokratëve dhe liberalëve.

Me gjithë kundërshtimin e raportuesit Fleckenstein dhe eurodeputetëve të majtë të pranishëm, PPE kaloi edhe një amendament “për gjurmë të forta provash mbi luftën ndaj korrupsionit, me hetime më efiçente, ndjekje e dënime për çdo lloj rasti korruptiv, në të gjitha nivelet”, duke bërë “thirrje për të përdorur sistematikisht në rritje konfiskimet e pasurisë kriminale dhe dënimet për pastrim parash”.

Ndërsa socialdemokratët, me konsensusin e të djathtëve hoqën citimin “për influencën e Tiranës ndaj Kosovës e Maqedonisë”, siç kërkohej nga homologët e tyre shqiptarë. “Vendosmëria politike është kyçe për rrugën drejt BE-së”, theksohet në njoftimin për shtyp të Komitetit europarlamentar mbi Shqipërinë.

Pas marrjes së statusit, draft-rezoluta nxit përshpejtimin e reformave për kalimin në fazën tjetër të procesit anëtarësues, hapjen e negociatave me Unionin.

Në këtë kuadër, ata “paralajmërojnë se polarizimi i vazhdueshëm politik mund të rrezikojë përpjekjet e mëtejshme të integrimit në BE dhe iu bëhet thirrje të dy palëve, koalicionit qeverisës dhe opozitës, për të bashkëpunuar me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive”.

“Komiteti vëren se tendenca në luftën kundër trafiqeve dhe prodhimit të lëndëve narkotike është pozitive, por ende e sheh luftën kundër krimit të organizuar si një sfidë të madhe. Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të siguruar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e Gjyqësorit, gjithashtu edhe të garantojë pavarësinë e transmetuesit publik”, thuhet më tej në deklaratën përfundimtare.

Në fund, “eurodeputetët lavdërojnë Shqipërinë për klimën e tolerancës fetare, qëndrimin e saj konstruktiv dhe proaktiv në bashkëpunimin rajonal dhe dypalësh, sidomos sa i takon Serbisë, sikundër dhe përputhjen e plotë të qëndrimeve të Tiranës me politikën e Jashtme të BE-së”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel