Marrëveshja Iran-Rusi shqetëson Shtetet e Bashkuara

14/04/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre pasi Rusia hoqi një embargo për furnizimin e Iranit me sistemin e sofistikuar raketor “S-300”.

Sekretari i Shtetit, John Kerry e trajtoi çështjen në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë përmes një njoftimi për shtyp.

Nga ana e saj, Rusia deklaroi se embarogja nuk ishte më e nevojshme pas arritjes së marrëveshjes së përkohshme mbi programin bërthamor të Iranit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest nuk dha detaje mbi telefonatën e zotit Kerry, por tha se, koordinimi dhe uniteti me vende si Rusia kishte qenë jetik në arritjen e marrëveshjes me Iranin.

Ndërsa një zëdhënës i Pentagonit e cilësoi lëvizjen si të “padobishme”, duke thënë se shqetësimet lidhur me të po trajtohen përmes “kanaleve të duhura diplomatike”.

Rusia pranoi t’i shiste Teheranit sistemin “S-300” në vitin 2007, por e bllokoi shitjen në vitin 2010 pasi OKB vendosi sanksione ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor.

“S-300” është një sistem raketash sipërfaqe-ajër që mund të përdoret kundër objektivave të ndryshëm, përfshirë këtu avionët luftarakë, apo për të rrëzuar raketa të tjera.

Nga ana e tij, Teherani e mirëpriti lëvizjen duke e cilësuar si “një hap përpara drejt stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, siç tha dhe ministri i Mbrojtjes, Hossein Dehghan.

Teherani dhe 6 fuqitë botërore synojnë të finalizojnë brenda 30 qershorit marrëveshjen paraprake të arritur më herët mbi pasurimin e uraniumit. Por Izraeli, një kritik i rreptë i marrëveshjes, ka shprehur pakënaqësinë e tij.

Top Channel