Kosovë, granatë stacionit policor në Zubin Potok

14/04/2015 00:00

Një granatë dore është hedhur në oborrin e stacionit të policisë në Zubin Potok, në veri të Kosovës, mbrëmjen e së hënës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, për fat të mirë duke shkaktuar vetëm dëme materiale dhe jo në njerëz.

Burime të agjencisë “KosovaPress” kanë deklaruar se autorët e këtij akti kanë lënë në stacionin policor edhe një mesazh, në të cilin thuhej: “Stop Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, tradhtarë”.

Nga shpërthimi janë dëmtuar katër automjete të policisë, e cila është duke zhvilluar hetime për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij agresioni.

Top Channel