MB, tjetër apel qytetarëve: Mos u mashtroni, nuk ka mundësi për azil në zonën “Shengen”

14/04/2015 00:00

Ndërsa ka publikuar shifrat për 72 orët e fundit, përgjatë të cilave u
është refuzuar e drejta e udhëtimit në zonën “Shengen” qindra shtetasve
shqiptarë, Ministria e Brendshme ka apeluar ndaj qytetarëve që
“të distancohen nga persona që mashtrojnë, duke u ofruar azil në vendet e
BE-së”.

“Përgjatë 72 orëve të fundit, Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në hapësirën ‘Shengen’. Policia ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ministria e Punëve të Brendshme ka ftuar edhe një herë qytetarët “të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën ‘Shengen’, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit”.

“Rikujtojmë se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptar, të fitojnë azil politik në vendet e BE-së”, thekson Ministria e Brendshme, sipas së cilës, Policia e Shtetit ka nisur hetimet mbi raste të mundshme trafikimi të qënieve njerëzore, me qëllimin evidentimin e çdo rrjeti apo skeme mashtruese për përfitimin e azilit.

Top Channel