Rama, në Forumin e Investimeve në Abu Dabi: Shqipëria ofron mundësi të mira për investime

14/04/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Emiratet
e Bashkuara Arabe, mori pjesë në Forumin e Investimeve në Abu Dabi, ku
parashtroi të gjitha mundësitë e mira që Shqipëria ofron për
investitorët e huaj.

Në këtë aktivitet, ku ishin pjesëmarrës investitorë nga fusha të ndryshme, si tregtia, turizmi, transporti, manifaktura, bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet financiare, Kryeministri Rama foli për Shqipërinë, vendin e mundësive për investitorët e huaj. Sipas tij, ndërsa Shqipëria është në rrugën drejt Bashkimit Europian, qeveria po fokusohet në ngritjen e një modeli të ri ekonomik, bazuar mbi rigjallërimin e sektorëve strategjikë dhe mbi hapjen e plotë ndaj investimeve të huaja.

“Ne jemi shumë të interesuar për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet në fusha të ndryshme, si energjia, burimet hidrike. Për ne është po ashtu me shumë interes eksplorimi i mundësive për bashkëpunim në sektorin e përpunimit të ujit të pijshëm, për të cilin Shqipëria është shumë e pasur dhe me një cilësi shumë të mirë. Jemi shumë të interesuar për të tërhequr investime të huaja direkte në turizëm. Në javët në vijim, ne do të kalojmë në Parlament, një ligj të ri për investimet e huaja direkte dhe për turizmin, i cili do të lehtësojë së tepërmi futjen e investitorëve të huaj në tregun shqiptar. Mendoj se është gjithashtu një fushë e mirë për t’u zbuluar agrikultura, ku vendi ynë ka potenciale të mëdha dhe ne do të donin shumë të shihnim investitorë potencialë të investonin në këtë fushë”, tha Rama në fjalën e tij.

Kryeministri ftoi të gjithë sipërmarrësit prezentë që të organizonin një vizitë, për të parë nga afër zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si edhe për të marrë në konsideratë mundësitë që ofron vendi.

Gjatë vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe shefi i qeverisë shqiptare u prit nga personalitetet më të larta të vendit.

Takimin e parë, Kryeministri Rama e zhvilloi me Shkëlqesinë e tij, Mohamed Al Murr, Kryetar i Këshillit Kombëtar Federal (Parlamentit) të Emirateve. Rama vlerësoi rolin rajonal të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe gjithashtu modelin që ata kanë vendosur për zhvillim të diversifikuar.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është e hapur për investimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, jo vetëm si një potencial për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe si një mundësi për të dy vendet për të zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin në fusha me interes si turizmi, agroindustria, përpunimi apo zonat industriale.

Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit vlerësoi zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke u ndaluar veçanërisht tek zhvillimet rajonale dhe roli i Shqipërisë në nismat në rajon. Ai vlerësoi edhe bashkëpunimin mes dy vendeve, duke theksuar se është e domosdoshme që shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimi të rriten edhe më tej në të ardhmen.

Kreu i qeverisë shqiptare u prit edhe nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Princi i Kurorës shprehu interesin e vendit të tij për të parë mundësi të mëtejshme për bashkëpunim me Shqipërinë, me fokus të veçantë zhvillimin e infrastrukturës dhe investimet në fusha si turizmi apo agrobiznesi.

Kryeministri Rama shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për të asistuar investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bindjen e tij se këto investime jo vetëm që do të ndihmojnë ekonominë shqiptare, por do të ndihmojnë dhe në ngritjen e performancës në sektorët që do të preken nga to.

Në përfundim të takimit ishte organizuar një ceremoni e posaçme për nënshkrimin e dy marrëveshjeve: një për lehtësimin e vizave dhe tjetra në fushën e mjedisit. Ndërkohë që u diskutua dhe për përgatitjet për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja dhe për organizimin e një vizite shtetërore të nivelit të lartë nga Emiratet në Shqipëri, shoqëruar me një vizitë me investitorë të interesuar për të investuar në Shqipëri.

Gjatë vizitës, Kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë edhe nga Mansour bin Zayed Al Nahyan, zv.kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe President i Fondit të Investimeve të Emirateve.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama, ministrat Ditmir Bushati, Arben Ahmetaj e Saimir Tahiri, si dhe disa deputetë të grupit të miqësisë mes dy vendeve.

 

Top Channel