Kosova, padi Serbisë për krimet e kryera. Rezoluta në Kuvend

14/04/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës do të votojë në një nga seancat e radhës, rezolutën me të cilën do të ngrihet padi ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se rezoluta e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës do të miratohet, pasi të harmonizohet edhe me opozitën.

“Rezoluta e sponsorizuar nga grupi parlamentar i PDK-së për dënimin e krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë do të trajtohet. Sot e patëm në mbledhjen e kryesisë dhe grupeve parlamentare, e kemi lënë një harmonizim të qëndrimeve të grupeve parlamentare dhe shumë besoj që mbledhjen e radhës të seancës plenare do të jetë pjesë e votimit”, tha Sinc: Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Propozimin e rezolutës nga ana e partisë së kryeparlamentarit Veseli, opozita e quajti lojë për të mbuluar themelimin e Gjykatës Speciale.

“E kanë sjellë për të neutralizuar kërkesën e opozitës për raportim të të parit të Qeverisë, në raport me Gjykatën Speciale dhe, ndërkohë, nuk e kanë dërguar për harmonizim përkatës te partnerët e tjerë, që do të thotë edhe tek opozita. Sot ka qenë veç kalimthi, mirëpo e pa harmonizuar me opozitën. Ne kemi kërkuar, që të dërgohet për harmonizim në grupet opozitare, që ta japim edhe ne kontributin tonë dhe kjo çështje të trajtohet më me seriozitet, e jo të sillet në Kuvend kur i duhet PDK-së, për të mbuluar një turp si Gjykata Speciale, e cila është një sistem tërësisht paralel në sistemin e drejtësisë në vend”, tha Donika Kadaj-Bujupi, shefe e Grupit parlamentar të AAK.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit u tensionua të martën, pasi nuk u pranua propozimi i opozitës për futjen në rend dite të peticionit për ngritjen e çmimit të energjisë.

Kjo bëri që opozita të largohet nga mbledhja, duke akuzuar partitë e koalicionit se nuk po lejojnë të diskutohet në Kuvend për problemet reale të qytetarëve.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje kërkoi, që Komisioni parlamentar për Shqyrtimin e Peticioneve të takohet me urgjencë para seancës së të enjtes, dhe të kërkojë shqyrtimin e shtrenjtimit të energjisë.

Në seancën plenare të së enjtes, Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të emërojë disa anëtarë të bordeve të ndryshme, të cilëve iu ka mbaruar mandati.

Top Channel