Gratë në politikë, OSBE: Shqipëria ka ende sfida përpara

14/04/2015 00:00

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka prezantuar këtë të martë botimin
“Fuqizimi i grave në politikë”, një përmbledhje me intervista të 9
grave të përfshira në jetën politike. Ky libër u botua në kuadër të
projektit disavjeçar të Prezencës  për rritjen e pjesëmarrjes
së grave në jetën politike e publike.

Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, i pranishëm në ceremoni, tha se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm, veçanërisht me rritjen në 30 për qind të numrit të grave në qeveri. Megjithatë, sipas tij, ka ende sfida përpara, pasi gratë përbëjnë vetëm rreth 12 për qind të këshilltarëve vendorë dhe vetëm një për qind të kryetarëve të bashkive.

“Ndryshimet e miratuara së fundmi në Kodin Zgjedhor, të cilat jo vetëm sigurojnë përputhshmërinë e Kodit me ndarjen e re territoriale, por edhe forcojnë dispozitat për kuotën gjinore, janë thelbësore dhe një gur themeli i rëndësishëm për rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike shqiptare”, tha ambasadori i OSBE-së.

Për ambasadorin Raunig, ndryshimet përcaktojnë një kuotë gjinore prej 50% në listën e çdo partie për këshilltarë vendorë – një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm duhet t’i përkasë secilës gjini. “Nëse lista nuk arrin të përmbushë këtë kërkesë, ajo refuzohet. Kjo nismë e Aleancës së Grave Deputete është e lavdërueshme. Shpresojmë që mbështetja e gjerë ndërpartiake e dëshmuar në Kuvend të jetë tregues se klasa politike shqiptare e ka marrë seriozisht çështjen e barazisë gjinore në politikë”, shtoi ai.

Duke iu referuar periudhës përgatitore të zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ambasadori bëri të ditur se, Prezenca ka intensifikuar përpjekjet për të promovuar barazinë gjinore dhe për të fuqizuar gratë që të marrin pjesë plotësisht në jetën publike dhe politike. “Prezenca po ndërton kapacitetet e grave për të dalë si kandidate në zgjedhje dhe po nxit respektimin e plotë të kuotës gjinore, në zbatim të Kodit Zgjedhor, si në frymë ashtu edhe në germë”, theksoi Raunig.

Botimi i prezantuar përmban intervista me nëntë gra nga i gjithë spektri politik, të cilat kanë bërë karrierë në jetën publike dhe politike si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel vendor. Një pjesë e madhe e tyre janë përfshirë aktivisht në veprimtari të ndryshme të Prezencës, që kanë synuar promovimin e angazhimit të grave në politikë.

Top Channel