Krasniqi: Nga bashkimi i shqiptarëve të mos trembet askush

14/04/2015 00:00

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar të martën se, askush nuk duhet të trembet nga bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas tij, një bashkim eventual nuk do të sjellë as dhunë, as krijimin e Shqipërisë së madhe dhe as rreziqe për ndonjë vend tjetër.

“Teksa lexoj disa shkrime dhe opinione kundër deklaratës së Edi Ramës, menjëherë më shkon mendja në vitin 1998, kur i dhash jetë formulës së betimit të ushtarit të UÇK-së, ‘luftojmë për bashkimin e trojeve të pushtuara të Shqipërisë’.

Në atë kohë, edhe nga qarqe të caktuara shqiptare pati reagime të çuditshme. Sot, krahasuar me deklaratën e Edit, edhe mund t’i kuptoj, sepse pozicioni i atëhershëm ishte tërësisht tjetër.

Por sot çështja është një tjetër: a duhet pasur frikë dhe nga kush? Frikë duhet pasur nga qëndrimet dhe pohimet luftënxitëse që vijnë nga ata që shkaktuan tre luftëra.

Luftëra që shkaktuan një genocid të tmerrshëm. Genocidin në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë i shkaktoi politika agresive e Beogradit”, është shprehur Krasniqi në Facebook.

Top Channel