Programi IPA, ministrja Gjosha informon KE-në për ecurinë e projekteve

14/04/2015 00:00

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ka deklaruar sot se të gjitha
rekomandimet e Komitetit të Monitorimit të IPA-s të mbajtur në 2014 janë
zbatuar dhe se numri i projekteve problematike është ulur në mënyrë
progresive.

Gjatë takimit të Komitetit Monitorues për instrumentin e para-aderimit, znj. Gjosha, në cilësinë e koordinatorit kombëtar të IPA-s, informoi se janë marrë masa për adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve problematike të projekteve në zbatim dhe po sigurohet një monitorim nga afër për çështjet që kanë potencial të kthehen në problematike me qëllim adresimin e shpejtë të tyre, për një performancë sa të mirë të projekteve IPA. “Si rezultat i këtyre masave, numri i projekteve problematike në vite është ulur progresivisht”, tha ajo.

Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve të projekteve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, si një nga sektorët më jetikë. Ministrja Gjosha, informoi Komisionin Europian për reformat që po ndërmerr qeveria në këtë sector, me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetarëve, masat për ristrukturimin e ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve bazuar edhe në ndarjen e re territoriale.

Gjithashtu, ajo informoi edhe për përgatitjet lidhur me implementimin e programit të ri IPA për Shqipërinë për periudhën 2014-2010 (IPA II). “Kanë filluar përgatitjet për programimin e fondeve për vitin 2016, ku asistenca e BE-së do të jetë në formën e mbështetjes buxhetore direkte”, shtoi znj. Gjosha.

Me qëllim përfitimin nga ky instrument i ri, qeverisë shqiptare i kërkohet përgatitja e strategjive sektoriale në fushat që do të mbulohen nga ndihma, që përbëjnë sektorët kyçë të ekonomisë dhe zhvillimit social, si sektori i ujësjellës-kanalizimeve, shteti ligjor dhe të drejtat themelore, bujqësia me fokus sigurinë ushqimore, si dhe transporti.

Prej muajit mars 2014 Shqipëria ka marrë akreditimin për menaxhimin e decentralizuar të fondeve të BE-së. Autoritetet shqiptare informojnë në vijimësi Komisionin Europian për ecurinë e zbatimit të 6 projekteve të para nga paketa IPA 2013. Për këto projekte janë shpallur procedurat e prokurimit dhe së shpejti do të procedohet me lidhjen e kontratave dhe fillimin e zbatimit të projekteve.

Top Channel