Kosovarët në radhët e ISIS-it, imamët ekstremistë vijnë nga Egjipti

14/04/2015 00:00

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak.

Raporti e krahason Kosovën me 21 vendet e tjera të Evropës Perëndimore, përfshirë SHBA-të, Rusinë dhe Turqinë, e sipas tij Kosova dhe Bosnja dalin të kenë më shumë luftëtarë në Siri e Irak, në raport me numrin e popullsisë.

Autori i raportit, Shpend Kursani tha se burimi i ekstremizmit është Egjipti, nga ku sipas tij kanë ardhur imamët, së pari në Maqedoni e pastaj në Kosovë, ku kanë ndikuar të rinjtë e varfër nga zona të thella për t’iu bashkuar organizatave terroriste.

“Janë një numër i vogël i imamëve në Kosovë, të cilët kanë rënë prè e këtyre imamëve nga Shkupi. Kryesisht i prekur është rajoni i Gjilanit, duke përfshirë Hanin e Elezit, Kaçanikun, Vitinë dhe vetë qytetin e Gjilanit, ku qytetarët kanë rënë prè e këtyre imamëve, të cilët pastaj e kanë shpërndarë edhe në Prishtinë ndikimin”, tha Shpend Kursani, autor i raportit.

Raporti gjen “tekfirin”, si ideologji specifike ekstremiste që përqafon ISIS, dhe prè e të cilëve bien disa qytetarë të Kosovës. Autori i raportit përmendi edhe ligjëratat online të imamëve ekstremistë, të cilat sipas tij ndikojnë te të rinjtë për të përqafuar ide ekstremiste. Kursani tha se shumica e rekrutimeve të ISIS në Kosovë janë bërë përmes një numri të vogël të imamëve.

“Mund të themi se, ndoshta janë 4 apo 5 imamë. Shumë pak po flasin me ide ekstremiste, të cilët kanë rekrutuar në Kosovë dhe po ashtu kanë shërbyer si garantues për pranimin e të rinjve nga Kosova në Siri”, tha më tej Shpend Kursani.

Raporti ka identifikuar shpërfilljet e Bashkësisë Islame të Kosovës, në raport me disa xhami të saja, të cilat janë përdorur nga imamët “tekfirë” në dëm të prodhimit të dijes së mirëfilltë fetare dhe në funksion të promovimit të ekstremizmit.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë rekomandon që institucionet kosovare, duke përfshirë edhe Bashkësinë Islame të punojnë për të luftuar ekstremizimin e të rinjve, që janë penduar për vajtjen në Siri dhe Irak.

Kjo qendër, po ashtu rekomandon që mos të bëhen spektakle mediatike, duke arrestuar imamë, një numër i të cilëve sipas raportit kanë ndikuar shumë për mos shtrirjen e organizatave terroriste nëpër xhamitë, ku ata punojnë. Deri në Janar të këtij viti përllogaritet se 232 kosovarë kanë marrë pjesë në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Top Channel