Dyndje azilantësh në Gjermani, shqiptarët lënë pas sirianët

14/04/2015 00:00

Shqiptarët janë përfshirë nga një valë e madhe arratie, kryesisht drejt Gjermanisë. Kosova mban vendin e parë për azilkërkues, ndërsa Shqipëria është e treta, pas Sirisë.

Për muajin Mars nga Kosova numri i azilkërkuesve është 11729 vetëm, më pas Siria, e cila është në luftë civile dhe në vend të tretë Shqipëria me 3020 kërkesa, ndërsa në vend të katërt është Serbia me 2833 kërkesa e më pas në vendin e gjashtë është Maqedonia, që pas Irakut në luftë ka 926 kërkesa.

Sipas statistikave gjermane, azilkërkuesit më të shumtë janë shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia por edhe nga Serbia, ku një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës që përdorin faktin se u njihen dokumentet e tyre si shtetas të Serbisë.

Në Shqipëri, pas fluksit të madh të regjistruar në Portin e Vlorës, i njëjti fenomen po zbras nga banorët qytezën e Orikumit dhe se fundmi Kukësin dhe fshatrat e gjithë zonës.

Pika më e prekur këto ditë është Shishtaveci. Në mënyrë të organizuar dhe si në një epidemi banorët atje lënë vetëm të moshuarit në shtëpi dhe ikin me shpresën se do fitojnë azil.

Fenomeni është i njohur edhe nga autoritetet shqiptare. Ministria e Brendshme njoftoi se vetëm përgjatë 72 orëve të fundit Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën ‘Shengen’.

Policia e Shtetit ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Ministria e Punëve të Brendshme fton edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit.

Ministria e Brendshme thekson se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptarë të fitojnë azil politik në vendet e BE-së. Kjo është theksuar vazhdimisht edhe nga diplomatët e huaj në Tiranë, veçanërisht nga ambasadori gjerman, por mesa duket thirrja e mashtruesve që duan të përfitojnë nga pagesat që bëjnë azilkërkuesit është më e fortë se ajo e institucioneve shtetërore.

 

Top Channel