Guardiola: Na duhen dy ndeshje madhështore për të kaluar Porton

14/04/2015 00:00

Pep Guardiola, trajneri i Bayern Munchen, deklaroi se, kundër Portos ekipi i tij duhet të zhvillojë dy ndeshje madhështore nëse kërkon të kalojë në gjysmëfinalet e Champions League.

“Porto është një skuadër e madhe, jam habitur nga niveli i lartë që kanë treguar lojtarët e saj. Nuk na mjafton vetëm një ndeshje e mirë për të kaluar, duhen dy”, tha trajneri spanjoll në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë çerekfinale ndaj portugezëve.

Guardiola sqaroi se ndryshe nga kundërshtarët në Bundesligë, Porto nuk do të luajë me kundërsulme: “Në 99% të rasteve, kundërshtarët tanë luajnë me topa të gjatë dhe me kundërsulm, por Porto nuk e bën këtë. Ata do të mundohen të luajnë topin si ne.”

Trajneri i bavarezëve nuk pranoi të fliste për mungesat e shumta që ka në skuadër: “Do të luajmë me lojtarët që kemi në dispozicion dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën.”

Top Channel