Prokuroria: Xhihadistët shqiptarë rekrutuan e dërguan në Siri 70 persona

14/04/2015 00:00

Shumë mbështetës të 9 të akuzuarve për rekrutim të shtetasve shqiptarë, për të luftuar në Siri në radhët e ISIS-it, kanë qenë jashtë dyerve të Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ndryshe nga çdo proces tjetër te kjo gjykatë, ku me anë të detektorit publiku kontrollohet për sendet e palejuara, në këtë proces gjyqësor masat janë ndryshe. Të gjithë mbështetësve të të dyshuarve nuk u lejohet të hyjnë në seance me rripa, apo qoftë edhe me pult automjeti. Për këtë proces, personeli i sigurisë i ka listuar këto si sende të rrezikshme, e që mund të prodhojnë ngjarje.

“Na kanë thënë që duhet të heqim rripat, të dorëzojmë çelësat. Përderisa na thonë hiqni rripat, ata kanë frikë nga ne dhe kushedi se çfarë mendojnë ata. Në të vërtetë e di vetëm Zoti”, tha njëri prej mbështetësve nga ambientet e jashtme.

Në seancën e radhës, Prokuroria lexoi kërkesën për gjykim kundër dy imamëve të vetëshpallur, Genci Balla e Bujar Hysa, si dhe 7 të tjerëve, shumica prej tyre nën akuzë si financues dhe rekrutues të rreth 70 shtetasve shqiptarë, ndaj të cilëve janë përdorur thirrje radikale për xhihadizëm.

Prokuroria pranoi se nuk ka ende një shifër të saktë, sesa është numri i atyre që janë vrarë në Siri, megjithëse njëri nga të pandehurit pohoi se janë 17 persona. Të akuzuarit vijojnë të këmbëngulin se nuk duan avokatë, pasi sipas tyre mbrohen nga Allahu, ndërsa u shprehën se nuk kanë lidhje me akuzat e Prokurorisë.

Në seancë, avokati i të akuzuarit Oriol Reci kërkoi të thirret si dëshmitar ish-kryeministri Sali Berisha, i cili vite më parë, sipas mbrojtjes, ka deklaruar mbështetjen ndaj opozitës siriane, që kundërshtonte Bashar al-Assadin. Kërkesa u rrëzua nga gjykata.

Top Channel