PD u jep republikanëve Beratin. Grida Duma: Gati të garoj në Durrës

14/04/2015 00:00

Opozita kandidoi në Berat Kasem Mahmutaj, një propozim i Partisë Republikane, që tregon se bisedimet mes palëve po ecin edhe pse publikisht Durrësi duket si një çështje ende e hapur.

“Nuk ka një vendim përfundimtar. Sondazhi është pozitiv për zotin Duka dhe ne duam që të bëjmë atë që është më e mira. Kemi pritur me zotin Duka që të dalë një propozim nga Partia Demokratike që ta vlerësojmë, për të parë edhe kapacitetet elektorale, qoftë të Partisë Republikane, qoftë me zotin Duka sa mund të mundësohen pozitivisht në raport me kandidatin që propozohet. Nuk kemi kandidat tjetër. Jemi afër dhe larg një marrëveshjeje”, deklaroi Fatmir Mediu.

Në fakt, sa më shumë i largohet Agron Dukës mundësia për të kandiduar si përfaqësues i opozitës në Durrës, aq më shumë kjo mundësi afrohet për Grida Dumën. E pyetur nga gazetarët, ajo e diskutoi çështjen parimisht.

“Unë e vlerësoj maksimalisht zotin Duka, në qëndrimin e tij të drejtpërdrejtë dhe në zhvillimin e karrierës së tij politike në mënyrë të respektueshme, por mbetet e vërtetë që Durrësi është një bastion me një zemër të djathtë dhe për këtë arsye duhet të konsiderojmë edhe kandidaturat e Partisë Demokratike deri sa të dilet me një emër të përbashkët”, tha Duma.

Deri tani emri i Grida Dumës ishte në listën e kandidatëve të Tiranës, por mesa duket, deri tani nuk ka patur një komunikim me kryetarin Lulzim Basha.

“Ky është një vendim në grup përgjigjen do të kthej vetëm kur kryetari të jetë në diskutime. Nuk është e mjaftueshme që një figurë të jetë thjeshtësisht e pëlqyeshme nga publiku, mund të ketë dhe duhet të ketë shumë kritere të tjera për kandidatin. Emri i kandidatit është një çështje e brendshme e Partisë Demokratike”, shtoi Grida Duma.

Pavarësisht se kush do të vendoset në Tiranë apo Durrës, e sigurtë është se në të dy bashkitë do të kandidojë një përfaqësues i Partisë Demokratike.

Top Channel